E Martë, 3 Nëntor 2026

Basha: Koalicioni Euroatlantik, alternativa që buxheti t’u kthehet qytetarëve

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha zhvilloi sot takime me qytetarë dhe biznese në Njësinë 5 në Tiranë.

Gjatë takimeve, Basha tha se me programin e Koalicionit Euroatlantik, çështja e minatorëve do të adresohet përmes statusit të minatorit. Ndërsa për ish-të përndjekurit, tha se përveç shpërblimit financiar që ka munguar në këto 35 vite, ata do të trajtohen të barabartë si personat me statusin e ish-ushtarakut.

“Ne duhet t’i japim fund korrupsionit në mënyrë që të kemi mundësinë që të rrisim pensionet në tërësi e të adresojmë çështjen e punëve të vështira të minatorëve. Shtresa e ish-të përndjekurve, iu kemi hyrë në hak 35 vite. Ka ardhur në fushatë tek ju, kemi ardhur në qeveri ju kemi harruar. Ata që kanë vuajtur meritojnë në radhë të parë dëmshpërblimin financiar dhe dëmshpërblimin moral. Përfshirë statusin me vlerë financiare të barabartë si statusi i ish-ushtarakut”, tha Basha.

Basha gjithashtu foli për disa nga pikat kryesore të programit siç janë ato për familjet shqiptare, pensionistët dhe biznesin.

Kreu i Koalicionit Euroatlantik u shpreh se për familjet shqiptare do të ketë subvencione për strehimin e çifteve të reja, dyfishim i ndihmës për nënat kryefamiljare dhe deri në 20 mijë euro bonus për fëmijën e tretë.

Basha tha se për pensionistët brenda katër viteve pensioni minimal do të jetë 250 mijë lekë, pensioni mesatar 450 mijë lekë. “Për çdo pensionist nën 300 mijë lekë një shumë fikse për të kompensuar çdo muaj faturën e energjisë, si dhe sa i takon barnave, rimbursim 100% i barnave”, tha ai.

Më tej, Basha u ndal te programi i Koalicionit Euroatlantik për sipërmarrësit, ku pohoi se do të vendoset taksë e sheshtë në masën 9%, do të ketë heqje të TVSH-së për biznesin e vogël dhe lehtësi reale për hapjen dhe formalizimin e çdo iniciative të ndershme.

Në përfundim të takimeve, Basha theksoi se Shqipëria ndodhet përballë një zgjedhjeje të qartë, ose Shqipëria e korrupsionit të pandëshkuar, ose Shqipëria e ndershme që zhvillohet dhe garanton një të ardhme më të mirë për çdo familje. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›