E Martë, 3 Nëntor 2026

Basha në Pezë-Helmës: 100 milionë euro subvencione për fermerët

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, bashkë me kandidatin Saimir Lika zhvilluan një takim sot me fermerë në Pezë-Helmës në Tiranë.

Basha foli për programin e Koalicionit Euroatlantik për bujqësinë, i cili parashikon 100 milionë euro subvencione në vit për fermerët dhe 50 milionë euro për infrastrukturën bujqësore.

Sipas tij, duke e kthyer vëmendjen tek subvencionet, tek infrastruktura rurale, kthehet shpresa që fermerët të jetojnë me dinjitet, në shtëpinë e tyre dhe me tokat e tyre.

“Sa janë, 150 milionë euro në vit. 100 milionë subvencione, 50 milionë euro për infrastrukturën. Pse, s’i ka shteti këto. Sigurisht që i ka. Vetëm vitin e kaluar nga taksat e shqiptarëve kanë harxhuar 7,2 miliardë, dhjetëra-qindra herë më shumë. Kështu që, duke e kthyer vëmendjen te subvencionet, tek infrastruktura rurale, ne e kthejmë shpresën që ju të jetoni me ndershmëri e me dinjitet, në vendin tuaj, në shtëpinë tuaj, me tokat tuaja, me djersën tuaj. Se subvencioni çfarë bën? Zeron koston e fidanëve, të farave, të plehrave, të pesticideve, të plugimit. Dhe gjitha çfarë vjen si vlerë e shtuar që shisni produktin në treg, vjen si fitim për ju”, u shpreh Basha. /j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›