E Martë, 3 Nëntor 2026

Bashkëpunim dhe inovacion në bujqësi, AZHBR në konferencën e Agjencive të Pagesave të BE-së

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Ardita Kuçi mori pjesë në konferencën e 57-të të drejtorëve të Agjencive të Pagesave të Bashkimit Evropian, në Varshavë (Poloni), në kuadër të presidencës polake të Këshillit të BE-së.

Konferenca mblodhi përfaqësues të agjencive të pagesave nga vendet anëtare dhe kandidate të BE-së, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, Gjykatës Evropiane të Auditorëve dhe Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).

Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit vizituan Universitetin e Shkencave në Varshavë SGGW, ku u prezantuan teknologji të avancuara që mbështesin bujqësinë moderne.

Delegacioni pati mundësinë të njihej nga afër me zgjidhje inovative në fushën e hortikulturës, përfshirë përdorimin e dronëve për spërkatje dhe sistemet autonome për drejtimin e makinerive bujqësore.

Gjithashtu, u realizua një vizitë në Qendrën për Mjekësinë Translacionale, një nga qendrat më moderne kërkimore-shkencore në Poloni, ku zhvillohen kërkime ndërdisiplinore në fushën e mjekësisë veterinare dhe bioteknologjisë.

Pjesëmarrja e AZHBR-së në këtë konferencë të nivelit të lartë konfirmon angazhimin e institucionit për të ndjekur nga afër zhvillimet evropiane në menaxhimin e fondeve për bujqësinë, si dhe për të forcuar bashkëpunimin me homologët e vendeve anëtare dhe atyre kandidate të Bashkimit Evropian.

1 nga 4

/r.e/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›