Bazat ushtarake? Meloni: Deri tani s’ka asnjë kërkesë, por vendosim me Parlamentin. Nuk jemi në luftë dhe nuk duam të hyjmë

“Sot nuk kemi asnjë kërkesë në këtë drejtim dhe dua të them se nuk jemi në luftë dhe nuk duam të hyjmë në luftë”, tha kryeministrja e Italisë Meloni në një prononcim për radion RTL, duke iu përgjigjur një pyetjeje për përdorimin e bazave ushtarake amerikane në territorin italian për një ofensivë të mundshme kundër Iranit.
Meloni tha se të gjitha vendet po presin marrëveshjet dypalëshe. Ajo kujtoi se në Itali ka baza ushtarake të përdorura nga SHBA në bazë të marrëveshjeve që datojnë nga viti 1954 dhe që janë përditësuar me kalimin e kohës. Sipas këtyre marrëveshjeve, janë të lejuara operacione logjistike dhe të ashtuquajtura operacione “jo kinetike”, pra jo bombardime.
Nëse do të vinte një kërkesë për përdorim më të gjerë të bazave, qeveria do të duhej të vendoste nëse do ta lejonte apo jo, por sipas saj kjo do të duhej të vendosej bashkë me Parlamentin. Deri tani, megjithatë, nuk ka pasur asnjë kërkesë të tillë.
“Ajo që ekziston është rreziku i një përshkallëzimi me pasoja të paparashikueshme dhe jam e shqetësuar për ndikimet që kjo mund të ketë për Italinë”, theksoi kryeministrja italiane.
Ndërkohë disa media amerikane dhe izraelite, si Fox News, kanë raportuar për një sulm tokësor kurd në Iran. Në mënyrë më specifike, media izraelite iNeës24 citoi një zyrtar të Koalicionit të forcave politike të Kurdistanit (Cpfik), i cili tha se mijëra militantë kurdo-iranianë, që kanë bazë në Irak dhe janë të lidhur me Kurdistan Free Life Party (PJAK), po përparonin drejt maleve të Iranit perëndimor.
Megjithatë, disa agjenci dhe një anëtar i stafit të presidentit të Kurdistanit irakian deklaruan se “asnjë kurd irakian nuk ka hyrë në Iran.”
Teherani u godit nga sulme gjatë natës, ndërsa në Liban ka skaduar ultimatumi 24-orësh i Izraelit që u kërkonte zyrtarëve iranianë të largoheshin nga vendi.
Shpërthime të forta janë dëgjuar edhe në Jerusalem. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (Israel Defense Forces IDF) thonë se bëhet fjalë për raketa të lëshuara nga Irani.