Debate në Kuvend për raportin për imunitetin e Ballukut/ Bardhi: Po zvarrisni procesin. Balla: Jemi brenda afatit, diskutohet më 12 mars

Seanca plenare në Kuvendi i Shqipërisë u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës për shkak të mosfutjes në rendin e ditës të raportit të opozitës në Këshilli i Mandateve lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita e ka dorëzuar raportin të hënën dhe se ai duhet të ishte përfshirë në rendin e ditës të seancës së sotme. Ai akuzoi mazhorancën se po zvarrit procesin deri në limitet kohore.
“Këshilli i Mandateve përfundoi shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut në përputhje me afatet. Pesë anëtarët e këshillit kanë dorëzuar raportin për seancën plenare. Sipas rregullores, ju jeni të detyruar ta përfshini raportin në seancën më të parë pas dorëzimit të tij. Raporti është dorëzuar të hënën dhe seanca më e parë është kjo e sotmja. Kjo kërkesë ka natyrë urgjente, por ju po e çoni procesin në limitet tremujore të shqyrtimit, në kundërshtim me praktikat e ndjekura deri më sot në këtë Kuvend”, u shpreh Bardhi.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cilësoi gënjeshtra akuzat e opozitës për zvarritje të procesit. Ai tha se shumica parlamentare do të dalë me një raport brenda afatit dyjavor nga mbledhja e Këshilli i Mandateve. Balla shtoi se raporti do të dorëzohet në Kuvendi i Shqipërisë dhe do të diskutohet në seancën plenare të 12 marsit.
“E dëgjova me vëmendje gënjeshtrën dhe qëndrimi ynë ka qenë i qartë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Në këshill ka pasur dy qëndrime dhe rregullorja e Kuvendit parashikon që brenda dy javëve të hartohet raporti. Ne jemi brenda afateve. Sapo të depozitohet rekomandimi nga pesë deputetët tanë, do të respektohet afati dyjavor dhe raporti do të diskutohet në seancën plenare të 12 marsit”, tha Balla.
Pas përfundimit të debatit, nënkryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i tërhoqi vëmendjen deputetit Bardhi për “ndërprerje të fjalës së kolegëve dhe përdorim të gjuhës jo etike parlamentare”.
/rtsh.al/