E Diel, 1 Nëntor 2026

Beowulf, heroi i tunduar

Kush ka pëlqyer "300", me siguri do të arrijë të shijojë edhe "Beowulf", legjendën e heroit që arriti të mposhte përbindëshin Grendel. Me një pasion që mund ta ketë një përbindësh, aq sa dhe një njeri prej mishi e gjaku, por me portrete të denja për një video game, duhet të ndihesh i përgatitur ta shijosh "Beowulf" për atë çka është në të vërtetë: një histori e gjallë kartonësh.

Drama politike e pallatit mbretëror të Danimarkës merr menjëherë përmasa mitike. Grendel është tmerri i mbretërisë së Hrothgar, ndonëse jeton i vetmuar në shpellën e tij. Ai i grindet gjithë kohës nënës së tij në një dialekt skandinav. Ka një portret pervers, të prerë për të qenë i poshtër, por nga ana tjetër fare i ngjashëm me njerëzit, madje mund të ketë fare mirë dhe lidhje gjaku të largëta me sojin e zakonshëm.

Nga ana tjetër, Beowulf është heroi sypatrembur, me një zotësi gati hyjnore në fushëbetejë. Në një sulm ndaj frisianëve, zgjedh t‘i falë jetën një luftëtari, duke u mjaftuar me poshtërimin e tij: "Jepini një copë ari e dërgojeni në shtëpi. I duhet të tregojë historinë". Para se të përballet me Grendel, vijëzon trupin e vet lakuriq me tehun e shpatës (mjaft të kujtoheni që një situatë të ngjashme e keni parë vetëm një vit më parë te "300").

Nga njëra betejë në tjetrën do ju duket sikur lëvizni me ritmin e patinave te "The Simpsons".

Egoja prej heroi e bën Beowulf të ketë dobësi për gratë. Me t‘u bërë mbret, ai martohet me vejushën e Hrothgar, pa lënë mënjanë shoqërinë me bionden Lohman. Ai humbet kontrollin sa herë shfaqet Grendma. Kjo i del e gjitha e larë në ar, me taka të larta e një gërshet të gjatë. Mjafton një prekje me dorë e shpatës së Beowulf dhe objekti menjëherë kthehet në ujë. Odiseja mundi t‘i rezistonte sirenës, por Beowulf besonte aq shumë te vetja, saqë mendonte se mund të flinte me Grendan e më pas ta zbuste atë. Edhe një hero legjendash nuk arriti dot të mposhtte tundimin ndaj mishit. Por filmi është aq shumë i mbushur me skena betejash, përbindësha dhe nimfa, saqë pak vend ka për të reflektuar mbi atë çka sheh. Personazhet duken aq të pavërtetë sa dhe skenat reale. Suksesi i Zemeckis qëndron ndoshta në marrjen seriozisht të përfshirjes që të krijon kjo lloj kinemaje, duke menduar që e ardhmja do na rezervojë të papriturat e një realiteti efektesh speciale.

Legjenda, si e pëlqejnë adoleshentët "Beowulf"

Regjisori Robert Zemeckis zgjedh një prej poemave më të vjetra epike angleze për të sjellë në ekranin e madh aventurën e tij të fundit. Legjenda mesjetare e përshtatur për ekran nga Neil Gaiman dhe Roger Avery, ka fare pak ngjashmëri me atë çka nxënësit anglezë studiojnë në shkollat e tyre. Historia nis me mbretin Hrothgar (Anthony Hopkins) dhe njerëzit e tij të terrorizuar nga përbindëshi Grendel (Crispin Glover). Thirrjes së Hrothgar ndaj burrave trima të gatshëm për të vrarë përbindëshin i përgjigjet Beowulf dhe banda e tij. Luftëtari i fortë Beowulf arrin të mposhtë përbindëshin, po nuk mund t‘i shpëtojë zemërimit të nënës joshëse së Grendel, Angelina Jolie. Duke luftuar ndaj saj, Beowulf duket në luftë me veten për t‘i shpëtuar tundimit të gjarpërushes. Zgjedhja që e bën e çon drejt një mallkimi të ri, këtë herë shumë në të rëndë sesa vetë prania e Grendel. Heroit i duhet të jetojë me ndjenjën e keqardhjes, derisa të vijë çasti i shpagimit. Kjo nuk është hera e parë që regjisori Zemeckis përdor krijesa të mbinatyrshme të animuara, por te ky film luftohet e derdhet aq shumë gjak, saqë adoleshentët do të gjejnë më së miri pasionin e filmave me efekte speciale. Puritanët e poezisë do të kishin argumente të mjaftueshme për të kritikuar këtë version të largët të poemës epike, mbushur me skena seksi e dhune. Por suksesi i deritanishëm në të gjitha sallat nëpër botë ku "Beowulf" është shfaqur, ka treguar se adoleshentët janë pasionuar pas këtij varianti të historisë; në mos për të parë Grendel, të paktën për të kundruar nënën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›