"Lufta e Ftohtë" e Çavezit
Në shumë pak raste të njohura më parë, një kryetar shteti ka dhënë urdhra të detajuar për mobilizim ushtarak në një transmetim televiziv të drejtpërdrejtë. Pikërisht këtë bëri Presidenti i Venezuelës, Hugo Çavez, në 2 mars, pasi forcat kolumbiane bombarduan një zonë pranë Ekuadorit, me pasojë vrasjen e Raul Reyes, komandantit të famshëm të Forcave Revolucionare të Armatosura të Kolumbisë, që ndryshe njihet me emrin (FARC).
Në emisionin "Alo Presidente", Çavez urdhëroi ministrin e Drejtësisë: "Më dërgo 10 batalione në kufi, përfshi edhe tanket". Presidenti dha urdhër gjithashtu edhe për përgatitjen e të ashtuquajturës "bombë gishti", një prodhim i fundit rus. I gjithë ky arsenal do të përdorej në rast se Presidenti i Kolumbisë, Alvaro Uribe, do të tentonte të njëjtin sulm që bëri ndaj Ekuadorit dhe ndaj Venezuelës. Një ditë më pas, Presidenti i saj ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Kolumbinë. Trupat venezueliane dhe tanket po zhvendosen ndërkohë në zona më të populluara të kufirit. Por ajo çka e bën situatën të çuditshme është fakti se Kolumbia nuk preku sovranitetin e Venezuelës, por rrezikoi atë të Ekuadorit. Është fakt se Kolumbia, në vazhdën e viteve e ka akuzuar vazhdimisht Venezuelën për strehim dhe stërvitje të guerrilasve e madje edhe për ngritje të kampeve stërvitore në tokën e saj, të ngjashme me ato që u bombarduan në afërsi të kufirit me Ekuadorin. Atëherë përse ky reagim nga ana e Çavezit? Mos vallë i rëndon ndërgjegjja? "Ndoshta ai e dinte se çfarë do të ndodhte", shkroi në një nga editorialet e tij një ish-lider guerrilas në vitet ‘60, që aktualisht merret me drejtimin e një gazete opozitare në Karakas. Sipas tij, reagimi i tepruar i Çavezit ka të bëjë me marrjen e një mase paraprake dhe krijimin e një situate të tensionuar për shkak të frikës që mund të ketë nga dalja e informacioneve komprometuese nga kompjuteri i të vrarit Raul Reyes. Çavezin e pasoi edhe Presidenti i Ekuadorit në sjelljen e tij gati luftarake dhe e gjithë kjo tablo i vuri diplomatët e kontinentit në punë për të parandaluar shpërthimin e mundshëm të ndonjë konflikti. Nga ana tjetër ata janë të qartë se qeveria e Kolumbisë është pranë shpartallimit të FARC-ut dhe në tentativë për të ndryshuar marrëdhëniet e vështira, deri më tani, me fqinjët e saj. Kur Uribe, Presidenti aktual i Kolumbisë, erdhi në pushtet në vitin 2002, guerrilasit ishin në kulmin e aktivitetit dhe fuqisë së tyre. Paraardhësi i tij sapo i kishte ndërprerë bisedimet e paqes, pasi FARC-u kishte përdorur të ashtuquajturën "zonë e demilitarizuar" si bazë për rekrutime të reja dhe për fshehjen e personave të grabitur. Pjesa më e madhe e politikanëve të grabitur ishin marrë pikërisht gjatë periudhës së paqtë të bisedimeve. Vetë guerrilasit disponojnë 17 mijë trupa. Ata bllokuan rrugët kryesore dhe nisën të terrorizonin popullatën duke kryer vrasje masive civilësh, pa asnjë lloj parametri. Situata ndryshoi kryekëput kur Uribe, Presidenti i ri i vendit erdhi në pushtet. Së pari ai e zmbrapsi FARC-un nga zonat e populluara, duke detyruar pjesën më të madhe të grupeve paraushtarake që të çarmatoseshin. Por guerrilasit, edhe pse u tkurrën, vazhduan të ekzistonin duke jetuar në zonat tropikale të vendit, zona të cilat që prej 40 vitesh i kishin nën kontroll. Pikërisht aty u bënë ballë dy ofensivave të mëdha të viteve që pasuan. Ushtria e kishte gjithsesi të vështirë që të hynte deri në brendësi të zonave të kontrolluara prej FARC-ut dhe për më tepër të depërtonte në zemër të të ashtuquajturit sekretariati i shtatë burrave (një lloj organizmi drejtues ky), pjesë e të cilit ishte edhe i sapovrari Reyes.
Në kërkim të sekretariatit
Kështu, forcave të sigurimit u duhej që të riformulonin strategjinë e tyre. Përpjekjet e tyre u përqendruan tashmë te koka e organizatës me planet për të shtënë në dorë anëtarët e sekretariatit. Në këtë fazë ndihmuan shumë edhe pajisjet e sofistikuara të përgjimit, të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një manovër e tillë nisi që të japë rezultatet e saj. Dy komandantë rajonalë të FARC-ut u vranë dhe të tjerë u zunë rob. Vetëm gjatë janarit dhe shkurtit u vranë 247 guerrilas dhe u zunë 226 të tjerë. Pikërisht ky shtim i jashtëzakonshëm i presionit bëri që FARC të zmbrapsej dhe strehohej diku në kufijtë kolumbianë me Ekuadorin, Venezuelën dhe Panamanë. Një muaj më parë qeveria e Uribes mori njoftimin se i shumëkërkuari Reyes ndodhej në një kamp brenda kufirit ekuadorian. Menjëherë pas lajmit Uribe dha urdhër për një sulm ajror me bomba pikërisht në këtë zonë, në përfundim të të cilit u vranë 21 persona. Trupat këmbësore kolumbiane kaluan kufirin për të tërhequr të vrarët, mes të cilëve edhe i famshmi Reyes, që ndodhej së bashku me kompjuterin e tij. Nga ana tjetër e kufirit, kolumbianët ndodheshin në gjendje festive pas lajmit se më në fund qeveria kishte mbërritur në zemër të organizatës. Sipas asaj që mendohet, Reyes ishte personi që mbante lidhjet e FARC-ut me botën. Ai ishte gjithashtu një nga tre zëvendësit e Manuel Marulandës, liderit plak të FARC-ut. Për herë të parë forcat qeveritare kolumbiane treguan se ishin të afta që të infiltronin dhe mundnin guerrilasit përmes sistemit të sulmeve të befasishme. Vetë Uribe ishte thuajse i bindur që Presidenti i Ekuadorit, Correa, do ta mirëkuptonte veprimin e tij, por nuk ndodhi kështu. Dhe ja ku hyn në lojë Çavezi. Nxitja e tij bëri që Presidenti i Ekuadorit të dërgonte në kufirin me Kolumbinë 3200 trupa dhe preu menjëherë marrëdhëniet diplomatike. Ai kërkoi një takim urgjent të Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS), në të cilin të dënohej zyrtarisht veprimi i Kolumbisë. Veç kësaj ai nisi një tur nëpër vendet e kontinentit, në kërkim të mbështetjes.
Kompjuteri
Thuajse të njëjtën vlerë me vrasjen e Reyes ka edhe marrja e laptop-ve të tij. Sipas asaj që parathonë specialistët, brenda tyre mund të ketë informacione, që nëse do të dalin të vërteta, mund të vendosin në një pozicion shumë-shumë të vështirë si Presidentin e Ekuadorit, ashtu edhe atë të Venezuelës. Kjo për arsyen se Reyes ka bërë shumë takime të nivelit të lartë, madje edhe me liderë të vendeve të rajonit. Zyrtarët ekuadorianë i janë ankuar prej kohësh qeverisë kolumbiane për paaftësi në lidhje me ndalimin e kalimit të kufirit nga ana e rebelëve të FARC-ut. Vetë Ekuadori pretendon se çdo vit për të siguruar kufijtë i duhet të shpenzojë 160 milionë dollarë. Ekuadori është i inatosur me Kolumbinë edhe për shkak të shtrirjes nga kjo e fundit të fushave të mbjella me drogë edhe në hapësirën e Ekuadorit. Pavarësisht kësaj, Ekuadori i ka dhënë ndihmë Kolumbisë. Një vit më parë, sipas Presidentit të vendit, Correa, u shkatërruan 47 kampe ushtarake në vend. Avionët amerikanë vazhdojnë ende patrullimin në kufirin mes të dyja vendeve, duke u nisur nga bazat ajrore të Ekuadorit. Nga ana tjetër, Çavez ka qenë shumë i qartë për mbështetjen e tij ndaj FARC. Ai i prishi marrëdhëniet me Uriben një vit më parë, ndërsa tentonte që të luante rolin e negociatorit për pengjet e marrë nga FARC. Që nga ai moment, Çavez e zhveshi veten nga roli i ndërmjetësit të ndershëm që kërkon zgjidhjen paqësore të konfliktit të brendshëm në Kolumbi. Madje disa muaj më parë ai shkoi më përtej. Gjatë një fjalimi e cilësoi FARC-un si një "ushtri të vërtetë" dhe ftoi komunitetin ndërkombëtar që ta njihte. Por sigurisht, kësaj thirrjeje nuk iu përgjigj asnjë qeveri në rajon, madje as ajo ekuadoriane. Por Çavez vazhdoi me të vetën. Me rastin e vrasjes së Reyes, Çavez në programin e tij televiziv, "Alo Presidente", mbajti një minutë heshtje në shenjë nderimi. Pikërisht me Reyen ai ishte takuar tri herë rresht. Ndër të tjera, Çavez deklaroi se Kolumbia duhet të çlirohej më në fund nga nënshtrimi ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një dokument që mendohet se mund të gjendet në kompjuterin e Reyes, është ai ku, sipas disa burimeve inteligjente, Çavez ka paguar ose planifikon që të paguajë FARC-un me 300 milionë dollarë. Sasi parash kjo që mund të ishte ofruar nga Çavezi në këmbim të ofrimit të uraniumit nga ana e organizatës, e cila pretendon se po përpiqet të shtjerë në dorë sasi nga materiali me të cilin përgatitet bomba bërthamore. Nëse këto do të dalin të vërteta, atëherë Presidenti i Kolumbisë, Uribe, deklaroi se ai do të denonconte publikisht Çavezin për financim të terrorizmit. Pas deklaratës së Uribes, kundërpërgjigjja e Çavezit nuk vonoi. Ai akuzoi nga ana e tij shefin e policisë kolumbiane, personin që kishte dhënë hollësitë e para për përmbajtjen e laptop-it si "trafikant droge". Shumë venezuelianë mendojnë se lufta e sapo nisur, e cila deri tani ka përmasat e një "lufte mikrofonash", mund të shndërrohet shumë shpejt në një luftë të vërtetë. Sigurisht që opozita venezueljane nuk është aspak dakord me tonet e Presidentit të vendit. Anëtarë të saj thonë se një pjesë e madhe e ushtrisë nuk e do aspak konfliktin me Kolumbinë, madje edhe vetë Çavez e di mirë një gjë të tillë. Atëherë lind pyetja: Cila është loja e Çavezit? Një nga përgjigjet e mundshme është se lideri i çuditshëm është në kërkim të një konflikti të jashtëm, të një armiku të jashtëm, me të cilin të ndeshet e të debatojë, për të rritur popullaritetin brenda vendit të tij. Në dhjetorin që shkoi, projekti i tij për një mandat të papërcaktuar presidencial dështoi në referendum. Kjo humbje erdhi një vit pasi ai mori një mandat të dytë presidencial prej 6 vitesh të tjera, me 63% të votave pro. Referendumi ishte humbja e parë e madhe për Çavezin që nga koha kur erdhi në pushtet. Këtë nëntor, venezuelianët duhet të votojnë për kryetarët e bashkive dhe guvernatorët e shteteve. Ata janë të pakënaqur në lidhje me situatën e kriminalitetit dhe rritjen e shkallës së inflacionit që ka prekur shifrën 25%. Gjithashtu, në Venezuelë ka mungesa të lëndëve ushqimore bazë, përfshi edhe bukën. Për shkak të menaxhimit të keq që i ka bërë Çavez bujqësisë, Venezuela është kthyer në importuese të ushqimeve të saj kryesore, të cilat vijnë kryesisht nga Kolumbia. Çdo zgjatje e ndërprerjes së tregtisë mes të dyja vendeve do të binte në kurriz të popullatës venezueljane, situata e së cilës do të përkeqësohej edhe më. Sipas disa sondazheve, popullariteti i Çavezit ka rënë nën 50% dhe brenda Partisë së tij Socialiste janë përvijuar qartazi disa fraksione. Kërkimi i një konflikti me Kolumbinë dhe mbështetja e hapur ndaj FARC-ut nuk janë rrugët e duhura për të bërë miq. Sipas një sondazhi të bërë, tregohet se 89% e popullsisë është kundër luftës dhe 87% kundër FARC-ut. E parë nga ky këndvështrim, mund të thuhet se qëllimi i vetëm dhe i vërtetë i lëvizjes ushtarake të Çavezit është ndalimi i trupave kolumbiane nga plani për të mësyrë kampet e FARC-ut në Venezuelë, ku mendohet që të jetë fshehur edhe vetë shefi i madh i ushtrisë, Marulanda. Një tjetër shpjegim disi shqetësues, por me pak shanse për të qenë i mundur, është se Çavez, duke qenë vetë një ish-ushtarak, duke pasur frikë se i ka ditët e numëruara në pushtet, mund të nisë një sulm ndaj imperialistëve amerikanë dhe satelitit të tyre në Amerikën Latine, Uribes.
Për sa u përket vendeve të tjera të rajonit, ato po mundohen që të mbajnë për momentin rolin e vëzhguesit, duke mos kritikuar, apo marrë në mbështetje asnjërën prej palëve në mënyrë të veçantë. Po ndërsa çështja e bombardimit të kufirit ekuadorian nga ana e Venezuelës mund të zgjidhet shpejt, me ndërhyrjen e diplomatëve, të gjithë shumë shpejt mund të ndodhen para një të papriture të re nga ana e Venezuelës: Po sikur lideri i saj, Çavez, i krimbur në naftë e para të fituara prej saj, të ketë pasur dhe vazhdojë të ketë bërë plane të fshehta me FARC-un, ushtrinë e jashtëligjshme të trafikantëve dhe grabitësve kolumbianë?