Profeti" i parashikimeve të motit
Të dish paraprakisht nëse një verë e caktuar do të jetë e nxehtë, e freskët, do të thotë miliona fitime për kompani të caktuara. Pas prillit të butë që u vërejt vitin që shkoi, banorët e Evropës Perëndimore u përgatitën për një verë me diell e të nxehtë. Ndërkaq, rrjeti gjerman i supermarketeve "REWE" krenohej se dinte me saktësi si do të ishte moti gjatë atyre ditëve.
Që në prillin e vjetshëm, "REWE", që zotëron një numër të konsiderueshëm supermarketesh zinxhirë, hodhi në treg një produkt i cili nuk gjendet rëndom në gamën e artikujve që trajton: rreth 3 gigavat orë elektricitet, ose më thjesht, aq sa për të furnizuar me energji për një vit 700 shtëpi. Në fakt, kjo do të thotë që "REWE" shiti opsionet për të blerë paketa energjetike, të cilat mund të konsumoheshin në qershor dhe korrik. Në atë kohë, shumë furnizues me energji elektrike menduan se kjo qe një lëvizje e çuditshme.
Energjia elektrike - ashtu si minutat telefonike apo produktet e tjera - tregtohen me vlera këmbimi. "REWE" ka një degë që quhet EHA, e ngritur përkatësisht për këtë qëllim, ndërkohë që edhe vetë kompania blen energji përmes kësaj dege. Si kompani që konsumon aq energji sa Hanoveri, i cili numëron gjysmë milioni banorë, ndodh shpesh që ta blejë energjinë elektrike paraprakisht. Një pjesë e mirë e saj shkon për të mbajtur në punë dhomat gjigande frigoriferike e ambientet për konservimin e ushqimeve.
Çdo verë, sidomos gjatë ditëve të nxehta, rritet nevoja për energji elektrike, e cila përdoret për konservimin e ushqimeve. Kur kjo ndodh, çmimi i energjisë rritet në tregun e këmbimit. Konsumatorët e mençur blejnë paraprakisht energji kur çmimi i saj është i ulët. Ta blesh kur temperaturat arrijnë maksimumin, do të thotë të shpenzosh shumë më tepër.
Kështu, duke parë se përpara ishin të paktën dy muaj të nxehtë, çfarë e shtyu "REWE"-n të shiste energji, ndërkohë që prilli ishte veçanërisht i ngrohtë atë vit?
Superkompjuteri
Tani, për të gjithë ata që operojnë në këtë sektor, gjërat janë më se të qarta. Vera e vitit 2007 ishte mjaft e freskët, gjë që solli ulje të ndjeshme të çmimeve të energjisë. Ndërkohë që "REWE" arriti të përfitonte. Siç shprehet Arnd Kiselbah: "E shitëm tepricën në një çast kur njerëzit qenë të gatshëm ta blinin me çmim të mirë".
Ideja për të shitur energji që në atë periudhë, lindi në qytetin britanik të Ridingut, ku një superkompjuter kryen simulime të ndryshimeve klimaterike muaj përpara. Sipas përllogaritjeve të realizuara nga ky kompjuter gjatë prillit të vjetshëm, mësohej se vera e vitit 2007 nuk do ishte aspak e ngrohtë.
Kompjuteri zotërohet nga Qendra Evropiane për Parashikimet Afatmesme të Motit (ECMWF). Gjatë këtyre viteve të fundit, shkencëtarët që punojnë aty janë përpjekur të bëjnë diçka jo shumë të zakonshme: të parashikojnë gjendjen e motit për çdo stinë. Rezultatet e tyre kanë qenë aq të besueshme, sa Shërbimi Kombëtar Meteorologjik Gjerman i ofron të dhënat për shitje. Çdo kompani mund të blejë për 231 dollarë parashikimin e motit për gjashtë muaj të tërë.
Për shembull, sipas kësaj qendre, vera e këtij viti në Gjermani do jetë diçka më e ngrohtë nga normalja, megjithëse niveli i reshjeve nuk do jetë larg mesatares. Raportet që vijnë nga Ridingu janë pak a shumë si ato të orakujve, tregojnë vetëm prirjet e motit në vija të trasha, pa guxuar të hyjnë në detaje. Është ende e vështirë të jepen paraprakisht të dhëna të detajuara. Parashikimet arrijnë vetëm të tregojnë ndryshimet e vlerave të stinës së ardhshme, krahasuar me mesataret e viteve paraardhës.
E megjithatë, parashikimet e kompjuterit mbeten mjaft të vagullta dhe informacioni nuk mund të shërbejë për qëllime të atilla siç mund të jetë planifikimi i pushimeve. Por nga ana tjetër, të dhënat mund të shfrytëzohen shumë mirë nga bizneset dhe shërbimi meteorologjik gjerman tashmë mban të informuar rregullisht kompanitë e furnizimit me energji elektrike, si dhe shërbimet komunale të qyteteve. Për shembull, në rast se dihet që dimri që vjen është më i ftohtë nga normalisht, kompanitë e furnizimit mund të grumbullojnë në kohë sasitë e nevojshme rezervë.
Numri i sektorëve ekonomikë me ndjeshmëri të lartë ndaj motit është çuditërisht i lartë, nga prodhuesit e akulloreve, tek industria e tekstileve. Në rastin e dytë, njohja e faktit nëse temperaturat verore do të krijojnë nevojën për më shumë rroba banje apo pëlhurë për çadrat, mund të jetë me rëndësi shumë të madhe.
Lista e klientëve të shërbimit meteorologjik gjerman, për shembull, përfshin prodhuesen e një solucioni për largimin e mushkonjave, pasi edhe insektet janë shpesh të varur nga temperatura e ajrit. Llojet dominuese të mushkonjave gjatë verave të freskëta e me lagështirë janë të ndryshme nga ato të verave të nxehta, kështu që për kushte të ndryshme moti nevojiten përbërje të posaçme kimike që të luftojnë llojin e mushkonjave që dominojnë atë vit.
Kaosi i klonimeve
Kompjuteri parashikues i Ridingut është në gjendje të përpunojë me shpejtësi mbresëlënëse miliona të dhëna dhe observime. Modeli i motit që përdor ky superkompjuter është i njëjtë me ato që shfrytëzohen për përftimin e parashikimeve ditore. Por një model i vetëm nuk do të mund të jepte rezultate dhe pas një jave do të niste të krijonte simulime të papërkthyeshme. Kështu që meteorologët janë të detyruar të përdorin një truk për ta lënë prapa këtë problem: i klonojnë modelet dhe më pas krijojnë simulime të shumëfishta me një numër të madh klonesh.
Numri i modeleve të klonuara është 41 dhe secili prej tyre fillon me të dhënat aktuale të motit. Por duke qenë se kushtet aktuale nuk mund të kapen kurrë me saktësinë e duhur, të dhënat fillestare të modeleve modifikohen lehtësisht. Pas kësaj, kompjuteri nis të përpunojë një përfytyrim imagjinar të procesit të ndryshimeve atmosferike. Zonat e presioneve lëvizin rreth globit orë pas ore, bora bie dhe shkrin përsëri dhe retë e musoneve grumbullohen mbi Indi në orën kur kjo ndodh realisht. Gjithçka simulohet thuajse saktësisht, siç ndodh realisht mbi planetin tonë.
Sigurisht, modelet përkojnë me njëri-tjetrin vetëm në fazën fillestare. Shpesh ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri me kalimin e ditës së tretë, dhe pas 3 javësh secili nga kompjuterët procedon sipas "botës së vet". Në Modelin 5 e gjitha Spanja mund të gjendet në shira të pandërprerë e përmbytje, ndërkohë që Modeli 12 parashikon verën më të thatë që është shënuar ndonjëherë. Ndërkaq, modeli 23 mund të përshkruajë një zonë me presion veçanërisht të ulët mbi Britani.
Gjërat bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara. Meteorologët mund të shohin modelet e të humbasin në një pafundësi mundësish, por askush nuk i merr parasysh. "As që i shohim kalkulimet individuale", thotë meteorologia Renat Hagedorn, e cila punon në këtë projekt.
Në fakt, asnjë prej këtyre modeleve nuk është në gjendje të garantojë qoftë edhe parashikimin më të vagullt. Gjërat ndryshojnë në çastin kur shkencëtarët marrin parasysh rezultatet e të gjithë kompjuterëve së bashku. Në përgjithësi, gjithë ky kaos prodhon të dhëna të besueshme. Sigurisht, së pari duhen fshirë luhatjet e përditshme. Nuk ofrojnë asnjë lloj të dhëne që mund të merret për bazë. Ajo që mbetet në fund janë mesataret e përmuajshme.
Njihet mirë nga shkencëtarët edhe mesatarja e mospërputhjeve. Sa më të ndryshëm të jenë nga njëri-tjetri 41 modelet, aq më pak i besueshëm bëhet produkti përfundimtar. "Kjo është edhe sfida e vërtetë", thotë Hagedorn. Në rast se mospërputhja është shumë e madhe, për shkencëtarët ai simulim është i pavlefshëm.
Ky lloj informacioni mund të jetë shumë i vlefshëm për një numër të madh kompanish. Për shembull, për operatorët e prodhimit të energjisë elektrike që shfrytëzojnë mullinjtë e erës. Në rast se do të dinin se është në të mbërritur një stuhi e fortë, do mund të merrnin në kohë masat për të fikur turbinat.
Megjithatë, ndonjëherë pasaktësitë janë aq të mëdha, sa është me vend të hamendësosh. Në shumë raste saktësia e modeleve varet nga parazgjidhja e kujdesshme e të dhënave fillestare. Kompjuteri i kushton pak rëndësi temperaturës së atmosferës, e cila - siç e dimë të gjithë - ndryshon brenda një dite. Në vend të saj mbështetet tek elementët që ndryshojnë me ritme të ngadalta, siç janë dëbora e akulli, lagështia e tokës dhe temperatura e oqeaneve.
Oqeanet, në mënyrë të veçantë, luajnë rol shumë të rëndësishëm në përcaktimin e modeleve të motit. Në përgjithësi sillen si memorizues afatgjatë të ndryshimeve të motit. Trysnitë e larta harrohen nga atmosfera me kalimin e pak ditëve, thuajse sikur të mos qenë kurrë të pranishme. Por ngrohja e tepruar e oqeanit Paqësor është diçka që atmosfera nuk e harron për muaj të tërë.
Së fundmi, shkencëtarët e Ridingut kanë mësuar se duhet të marrin parasysh edhe faktorët shtesë, siç është cikli i karbonit, apo efekti serrë, i shkaktuar nga pjesëzat që rrinë pezull në atmosferë, duke filtruar dritën e diellit. Deri tani, këto procese janë simuluar në ato raste kur është kërkuar të bëhen simulime për të kuptuar gjendjet e motit nëpër shekuj. Por tani po mësohet se ato po i japin trajtat edhe motit të sotëm. "Është kjo arsyeja për të cilën po përpiqemi t‘i përfshijmë këta faktorë në parashikime", thotë Hagedorn. "Meqë ra fjala, moti dhe klima po lidhen gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin".
ECMWF mund të mbështetet në simulime klimaterike më të detajuara për parashikimet sezonale të motit. "Por modelet e motit janë pika jonë më e fortë", sqaron Hagedorn. Dhe në fakt, qendra e Ridingut është lider në industrinë e parashikimeve të këtij lloji. Zakonisht konsiderohet më e besueshmja në rang global.
E megjithatë ka limite. Modelet për parashikimet e përditshme e pjesëtojnë atmosferën në një rrjet me kuadrate 25 kilometra secilin. Por për parashikimet gjashtëmujore rrjeti duhet të modifikohet dhe kuadratet duhet të jenë 125 kilometra. Gjithsesi, kjo mbetet më e saktë nga simulimet klimaterike, të cilat shpesh përdorin rrjete me kuadrate prej 200 kilometrash.
"Ndarja në kuadrate edhe më të vegjël do t‘i përmirësonte ndjeshëm rezultatet", sqaron Hagedorn. Ai shton se do ishte më mirë që kompjuteri të merrte parasysh edhe më shumë të dhëna të tjera, si dhe të simuloheshin më shumë modele njëkohësisht. "Teorikisht do të qe e mundur të simuloheshin disa mijëra modele. Kjo do ta rriste ndjeshëm saktësinë e parashikimeve", thotë Hagedorn.
Duke parë rëndësinë e këtij superkompjuteri, mund të merret lehtë me mend se është porositur tjetri, edhe më i avancuar. Është planifikuar të vihet në punë në fund të këtij viti. Ashtu si edhe paraardhësi, kompjuteri ka të ngjarë të jetë ndër më të mëdhenjtë në rruzull.