E Diel, 1 Nëntor 2026

De Palma, "tradhtari i atdheut"

Brian De Palma po përballet këto ditë me një tjetër histori tipike të tij. Në një karrierë të mbushur me shtrëngata reagimesh, shpesh aspak të këndshme nga ana e një pjese të publikut, ai i fundit mund të konsiderohet si ndër më të fortët dhe ka të bëjë pikërisht me një këndvështrim që regjisori u ka bërë sjelljeve të ushtarëve amerikanë në Irak. Ky këndvështrim ka krijuar shumë reagime jo të mira në shtëpinë e tij. "Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk të lejohet të kritikosh trupat ushtarake. Unë e bëra një gjë të tillë, ndaj tani më duhet që të përballem me faktin se ata do të më quajnë një tradhtar të kombit", thotë vetë regjisori në lidhje me reagimet e mësipërme. Në fakt, punët e De Palmës kanë qenë në pjesën më të madhe të tyre të kundërshtueshme. Për sa i përket temës së fundit të zgjedhur nga regjisori, pra luftës në Irak, ajo është rrahur edhe nga regjisorë të tjerë në filmat e shfaqur edhe në kinematë shqiptare si: "Lions for Lamps", "Battle for Haditha", por asnjëri nuk i sheh trupat me mënyrën e De Palmës. Filmi i tij ka një kosto minimale prej 5 milionë dollarësh, me një grup aktorësh të panjohur dhe i ngjan një rrëfimi të zakonshëm të jetës së përditshme në një vend lufte si Iraku. Në qendër të filmit është rasti i përdhunimit të një 15-vjeçareje irakiane dhe vrasja e familjes së saj nga trupat amerikane. "Për filmin kam punuar me raste të vërteta, por edhe kam fantazuar, duke u munduar që të jap sa më pak detaje që i takojnë një rasti të vetëm për të mos pasur probleme", thotë regjisori. Sipas regjisorit, që nuk i intereson shumë reagimi i publikut, apo i autoriteteve kur ai është i bindur se ka të drejtë, rasti i dhunës së ushtruar nga trupat amerikane në Irak është i një shkalle më të madhe se ai i luftës së Vietnamit. Për De Palmën, administrata amerikane gjatë gjithë kohës është munduar që të japë një imazh të gabuar për sjelljen e trupave, çka nuk përkon aspak me realitetin. Ai e sheh filmin si një kritikë për mënyrën se si veprohet ndaj audiencës amerikane përmes medias vendase. "Amerikanët ulen përballë televizionit dhe shohin raportimet për luftën, të cilat nënvizojnë sukseset e ushtrisë, pa dhënë aspak anën e errët të një konflikti të përgjakshëm që shënon shumë më tepër viktima nga sa thuhet në burimet zyrtare. Njerëzit mendojnë se gjërat po shkojnë mirë dhe mendojnë se kjo është e vërteta", thotë regjisori. Me këtë film, De Palma mori "Luanin e Argjendtë" në Festivalin e Fundit të Venecias dhe ky është një nga çmimet e paktë që ai, edhe pse shumë i famshëm, ka marrë gjatë karrierës së tij të gjatë. Filmi i fundit të sjell ndër mend një tjetër prodhim të tijin të vitit 1989, në lidhje me Vietnamin, e pikërisht filmin me titull, "Viktimat e Luftës", në të cilin luante i famshmi Michael J. Fox, në rolin e një ushtari që tronditet kur asiston në mënyrat e egra me të cilat shokët e tij silleshin dhe përdhunonin femrat vietnameze. Ngjashmëria është tronditëse. Regjisori pretendon se skena si ato që transmetohen në film mund t‘i gjesh me shumicë në Internet të marra nga jeta e përditshme. Aty sigurisht që ka edhe pamje të dhimbshme dhe jo shumë të këshillueshme për t‘u parë nga një audiencë e gjerë, por i tillë është De Palma. Kjo është njëra nga arsyet që filmi është transmetuar në mënyrë të kufizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ku si pasojë fitimet ishin shumë të pakta krahasuar me filma të tjerë që trajtonin temën e luftës në Irak. Sipas De Palmës, ai veçse ka tentuar të thotë atë të vërtetë në lidhje me luftën që nuk guxojnë ta thonë gazetarët. "Gazetarët janë të frustruar shumë kur kthehen nga shërbimet e tyre në Irak dhe një nga arsyet është se ata nuk mund të bëjnë raportime për atë çka ndodh vërtet në këtë vend", thotë De Palma. Arsyeja? Sipas tij, askush nuk ka dëshirë që të lodhë më veshët me bëma e krime të rënda. Dhe gazetarët e dinë, e ndjejnë dhe sigurisht marrin edhe udhëzime për këtë. "E vërteta për Irakun nuk bën pjesë në rrymën kryesore të preferuar e ndjekur nga media amerikane", thotë De Palma. Megjithatë, filmi është një ndryshim i mirëpritur për De Palmën. Dhjetëvjeçarin e kaluar ai është marrë edhe me filma të tipit fantastiko-shkencor, apo aksion. Në të kundërt të kësaj preference, filmi i fundit e rikthen regjisorin në preferencat e tij të shkuara dhe në filmat me buxhet të vogël, por interesantë. Vetë regjisori nuk ka qenë kurrë pjesë e ushtrisë, edhe pse i ati ishte një kirurg ushtarak. "Im atë i nxirrte trupat nga deti dhe i riparonte ato. Kam dëgjuar shumë histori të tmerrshme për ushtarët në Paqësor", thotë regjisori. Ai ka lindur në Filadelfia, ka studiuar fizikë në Nju Jork, para se të vendoste që t‘i kushtohej tërësisht kinematografisë.

Është konsideruar gjithmonë ndër regjisorët më të mirë, pavarësisht se të kundërshtuar dhe i përket brezit të të famshmëve Lucas dhe Scorcese. Ashtu si dhe miqtë e tij, ai ka një jetë personale shumë të turbullt. Është martuar tri herë dhe kohëzgjatja e martesave nuk i ka kaluar të 4 vitet. I pëlqejnë shumë gjërat ndryshe dhe përpiqet që të japë maksimumin në rrëfimin e realiteteve jozyrtare e shpesh të pakëndshme, pra të anës të errët të Amerikës.

4 filmat që e kanë "djegur" De Palmën

"Scarface" (1983)

Rrëfimi i De Palmës për shkëlqimin dhe rënien e refugjatit kubanes, Toni Montana.

"Body Double" (1984)

Është një homazh i tipit Hitchcock për feminizmin. U kritikua shumë ashpër.

"Dressed to Kill" (1980)

Rrëfen për jetën e një transeksuali që përballet me censurën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Casualties of War (1989)

Film ku kritikohen sjellje të ushtarëve amerikanë gjatë luftës në Vietnam.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›