Një jetë e mërzitshme…te Çehovi
Daja Vanja (Bajrush Mjaku) nuk donte të ishte një njeri i mërzitshëm. Për gati 20 vjet në çifligun e së motrës (tashmë ajo nuk jetonte më), ai kishte qenë një shërbëtor i zellshëm, duke përkthyer veprat e profesorit (burrit të së motrës). Jeta e tij kishte qenë e njëjtë për gjithë ato vite. Një burrë i lartë, i shëndoshë, i veshur me kostumet e hirtë, që ndante orët në kolltukun e gjelbër në dhomën e ndenjes së kësaj shtëpie të madhe, një filozof i fshehur, që kërkonte t‘i mbushte mendjen Elenës, (gruas së re të profesorit plak), se edhe pse ishte një 47-vjeçar ai e dashuronte atë. Ndoshta do të kishte qenë më mirë që ai t‘ia kishte shprehur dashurinë kur ishte 37-vjeç dhe ajo 17-të. Ndoshta ajo do ta kishte pranuar dhe në këtë kolltuk me mbulesë të gjelbër tashmë do të ishte i përulur mbi të e duke i pëshpëritur se e donte vazhdimisht. Por fati kishte shkruar për Daja Vanjën të ishte një vetmitar, një njeri që kishte besuar në iluzione dhe humbja e tyre për të ishte humbja e vetë jetës. Një personazh i ngjizur me gjithë dashurinë e tij ndaj një brezi që besojnë tek e vërteta, duke sakrifikuar për të nga Çehovi, kaq vite më parë, duket si një personazh që e gjen në ditët e sotme. Megjithëse "Daja Vanja" është një shfaqje që shkakton humor te shikuesit, për shkak të gjuhës së zgjedhur që Çehov u jep situatave të ndryshme, në thelb përtej atyre të qeshura fshihet filozofia e vërtetë e ekzistencës. Te secili personazh, i ndjeshëm ashtu siç ishte vetë Çehov, ne shohim një pjesë që fshehim brenda vetes. Realitetet nuk ndryshojnë shumë në kohë. Ndoshta kjo është filozofia që Çehov e përcjell ende sot. Dhe "Daja Vanja" e thotë këtë me mënyrën e tij, prej vitesh në teatrot më të mëdhenj të botës. Duke na treguar vetminë e tij, ai na tregon se si t‘i qëndrojmë larg asaj, pasi në thelb dëshpërimi nuk është gjë tjetër veçse shkatërrues për trupin tonë. "Daja Vanja" është cilësuar si "dramaturgji e cilësisë së lartë". Si pasqyrë e saktë e vetë jetës, ajo i përjeton pa dhimbje edhe mendimet e kundërta dhe interpretimet e pafundme. "Ajo nuk tregon, por paralajmëron, nuk nënvizon, por bën /////////kurioz, si vetë jeta, në labirintin e të tashmes, por edhe të së shkuarës". Në lupën e dramaturgjisë çehoviane gjendet jeta e vërtetë, njeriu i thjeshtë i tipizuar gjerë dhe thellë. Ndihet përpjekja e tyre për ndryshim: Vojnicki, Astrovi, Aleksandra, Elena Andrejevna. Çdo ditë në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend, ata kërkojnë ndryshim. Është absurde apo jo, qesharake apo jo, tragjike apo jo, kjo është kërkesa jetësore e personazheve. Për dy ditë kjo vepër është ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar nga një bashkëpunim mes teatrove të hapësirës shqiptare Shkup, Tiranë, Prishtinë, nën regjinë e Slobodan Unkovskit. Me këtë vepër të dramaturgut rus ne patëm mundësinë të njiheshim dhe me regjinë e Unkovskit, i konsideruar si një nga regjisorët më të mirë në Ballkan. Dhe Unkovski kishte ditur të ruante karakteret, duke krijuar personazhe që depërtonin te publiku me dramën e tyre. Në rolin e Daja Vanjës interpretonte një prej aktorëve më të njohur shqiptarë të Maqedonisë, Bajrush Mjaku. Një rol që Mjaku e kishte futur mirë në trupin e tij, duke qenë nga fillimi e deri në fund të shfaqjes një Daja Vanjë i vërtetë. Në role të tjera interpretonin aktorët Enver Petrovci, Ndriçim Xhepa, Musherefe Llozana, Eftiola Laçka, Blerta Sylaj, Adem Karanga. Në këtë bashkëpunim shqiptaro-shqiptarësh duhet thënë se aktorët ishin një përzgjedhje e mirë. Shfaqja është mbështetur financiarisht nga kompania teatrore private "Kronos" dhe Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës.