E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dekorata për babain e Ergys Agasit, fyerje për çdo socialist të ndershëm

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot, se dekorimi i babait të Ergys Agasit, si qytetar nderi i Durrësit, është një fyerje për çdo socialist të ndershëm.

Duke u ndalur në aktivitetin e djeshëm, i organizuar në Durrës me rastin e 35-vjetorit të PS-së, Berisha tha në një reagim në rrjetet sociale, se “socialisti i dekoruar është babai i Ergys Agasit, koordinatorit famëzi të kartelave më të fuqishme të drogës në Evropë dhe kreut të grupit të strukturuar kriminal të AKSHI-t”.

Kreu i PD tha se, “edhe pse nuk dihet nëse Bardhyl Agasi ka përfituar nga pronat dhe pasuritë e vjedhura prej Ergysit, ai nuk ka thënë asnjë fjalë.

“Nuk ka kërkuar kurrë falje…Prandaj, dekorimi i tij është një fyerje dhe poshtërim i rëndë. Është fyerje për çdo socialist të ndershëm që sheh se dekoratat e qeverisë shkojnë për familjet mafioze, dhe njësoj është fyerje për qytetarinë durrsake e për çdo shqiptar”, vijoi Berisha.

Berisha tha se “ky dekorim u thotë qytetarëve të Durrësit se elitë bëhesh vetëm kur je mafioz, duke u dhënë mesazhin: “Mos guxoni të përçmoni Agasët, sepse ata janë paria e qytetit””.

“Ky është gjithashtu një paralajmërim i fortë dhe serioz për prokurorinë: “Mos guxoni të hetoni apo të kërkoni pasuritë e krimit të Agasit Junior te Agasi Babë (fisniku mafioz i PS-së), sepse do të ndëshkoheni rëndë””, tha Berisha.

Kreu i PD-së, nënvizoi në fund se “drejtësia vonon, por nuk harron”!

/e.i/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›