E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Fjala është e qytetarëve, me 12 kryengritje paqësore para Parlamentit

TIRANË, 9 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot në lidhje me raportin e Partisë Socialiste, për kërkesën së Prokurorisë së Posaçme, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, ku sipas tyre nuk ka vend për ndryshimin e masës së sigurisë.

Kreu i PD-së ftoi qytetarët që të protestojnë para parlamentit më datë 12, ditë kur do të diskutohet në seancë plenare imuniteti i Ballukut.

“Ndaj dhe sot, për çdo qytetar shqiptar, fjala është e tij. Fjala është e qytetarëve. Parlamenti është totalisht i aneksuar. Është një instrument i narkodiktaturës, i pushtuar nga Edi Rama. Ai, i garantoi qytetarët, se vjedhja nga qeveritarët nuk do të ndëshkohet. Se vjedhja nuk do konsiderohet më krim për qeveritarët shqiptarë. Fjala është vetëm e qytetarëve. Me datën 12, e gjithë Shqipëria para parlamentit në kryengritjen paqësore më të fuqishme që ka njohur vendi”, tha Berisha.

Sipas tij zgjidhja është vetëm në duart e qytetarëve.

“Unë kam bindje se shqiptarët, pavarësisht nga bindjet politike, njerëzit me integritet dhe njerëzit e ndershëm që jetojnë me djersën e ballit të tyre nuk do pajtohen kurrë me këtë vendim të Edi Ramës, me të cilin ai u thotë se vjedhja e tyre nga qeveritarët nuk mund të ndëshkohet”, tha Berisha.

Kreu i PD-së tha se “në rast se ekzekutivi me kartonat e krimit vendos të mos pranojë vendimet e drejtësisë, i përket sovranit dhe jo drejtësisë, të thotë fjalën e vet”.

“Sepse drejtësia e tëra është një trup, ta marrim 300-400-500 sa janë 1000, dhe të gjitha hallkat e tjera janë në duart e ekzekutivit.  Në këtë kontekst, është sovrani ai që duhet të ndërhyjë me të gjitha mjetet kushtetuese demokratike për të bërë të mundur ushtrimin e pushtetit nga pushteti gjyqësor në Shqipëri”, tha Berisha.

Sipas Berishës “kemi të bëjmë me fatin e çdo shqiptari, kemi të bëjmë më ëndërron evropiane të integrimit në BE të të gjithë shqiptarëve”.

“Ndaj dhe, cili do të jetë reagimi i drejtësisë në këtë rast, unë nuk mund të parashikoj, por detyra e opozitës, detyra e qytetarëve është të qëndrojë me të gjithë forcën në anën e kushtetutës dhe shtetit ligjor”, tha ai.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›