E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha: Solidaritet i plotë me Kuvajtin përballë çdo veprimi destabilizues

TIRANË, 9 mars/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi sot një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Kuvajtit, Sheikh Jarrah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah.

Gjatë bisedës, Hoxha konfirmoi se Shqipëria dënon ashpër sulmet e Iranit kundër Kuvajtit.

“Këto veprime përbëjnë një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare, cenojnë sovranitetin e Kuvajtit dhe paraqesin kërcënime serioze për sigurinë e qytetarëve të tij, ekonominë e vendit, si dhe për paqen dhe stabilitetin rajonal e global”, u shpreh ndër të tjera ministri Hoxha.

Hoxha siguroi “Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Kuvajtin përballë çdo veprimi destabilizues”.

Ai rikonfirmoi po ashtu mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kuvajtit, një parim themelor i politikës së jashtme të Shqipërisë.

Gjatë bisedës, Hoxha konfirmoi gjithashtu se Shqipëria do të bashkësponsorizojë projekt-rezolutën e OKB-së në Këshillin e Sigurimit, të paraqitur nga shtetet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, e cila dënon sulmet e Iranit kundër Bahreinit, Kuvajtit, Omanit, Katarit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë, si dhe bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të tyre.

Hoxha shprehu gjithashtu mirënjohjen ndaj autoriteteve kuvajtiane për kujdesin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të treguar ndaj qytetarëve shqiptarë në Kuvajt gjatë këtyre momenteve sfiduese.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›