E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Klubin Dinamo e ka marrë Ergys Agasi, klubin Partizani e ka Olsi Rama! Urgjent hetim ndërkombëtar

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të rënda lidhur me pronësinë dhe menaxhimin e dy prej klubeve historike të futbollit shqiptar, Dinamo dhe Partizani, duke kërkuar një hetim urgjent ndërkombëtar.

Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se klubi Dinamo është marrë nën kontroll nga Ergys Agasi, ndërsa për Partizanin akuzoi se kontrollohet nga Olsi Rama. Sipas tij, këto zhvillime nuk janë rastësi, por pjesë e një skeme më të gjerë që lidhet me interesa kriminale.

Berisha u ndal edhe te çështja e pronave të klubit Dinamo, duke deklaruar se këtij klubi i janë marrë sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe është zhvendosur në Durrës. Ai shtoi se aksionet e klubit, sipas tij, janë transferuar në mënyrë të dyshimtë te persona të lidhur me Agasin.

Në vijim, lideri demokrat ngriti dyshime për përdorimin e klubeve sportive për aktivitete të paligjshme, duke përfshirë pastrimin e parave dhe ndikimin në bastet sportive.

“I bëj thirrje federatës ndërkombëtare të futbollit të ndërmarrë një hetim urgjent për të çmontuar këto struktura që kanë pushtuar dy klubet prestigjioze”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se, sipas tij, Dinamo dhe Partizani përbëjnë pasuri të rëndësishme kombëtare dhe nuk duhet të përdoren për interesa të paligjshme.

Në përfundim, Berisha paralajmëroi se çështja do të ndiqet edhe në organet e drejtësisë, ndërsa këmbënguli për nevojën e një hetimi ndërkombëtar për të zbardhur, sipas tij, të gjitha rrethanat e kësaj çështjeje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›