Berisha: Komisioni i Sigurisë të hetojë vrasjen e Enea Mekollit

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një deklarate për mediet kërkoi sot që vrasja në krye të detyrës e efektivit të policisë Enea Mekolli duhet të hetohet jo vetëm nga organet e drejtësisë, por edhe nga Komisioni i Sigurisë në Parlament.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha ngriti një sërë pikëpyetjesh mbi organizimin dhe zhvillimin e operacionit ku humbi jetën efektivi i policisë. Sipas tij, duhet të sqarohet nëse njësia ku bënte pjesë Mekolli ishte struktura e duhur për arrestimin ose neutralizimin e një personi të armatosur dhe nëse ajo ishte e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme të mbrojtjes.
Sipas tij, duhet të hetohet edhe roli i drejtuesve të policisë në këtë operacion. Ai kërkoi verifikimin e pajisjeve mbrojtëse që mbante efektivi, përfshirë llojin e jelekut antiplumb, si dhe hetimin e të gjitha komunikimeve të autorit të dyshuar për të përcaktuar nëse ka pasur dekonspirim të operacionit policor.
“I bëj thirrje edhe prokurorisë të hetojë. Por angazhimi i Komisionit të Sigurisë të parlamentit është i domosdoshëm”, tha Berisha.
Sipas Berishës, duhet të kontrollohen të gjitha komunikimet e autorit të dyshuar për të zbuluar nëse ai ishte njoftuar paraprakisht për ndërhyrjen e policisë.
“Një operacion i tillë, më së paku mund të thuhet i keqorganizuar, i keqplanifikuar. Të kontrollohen mirë të gjitha komunikimet që vrasësi ka pasur për të parë nëse kemi një dekonspirim të operacionit. Dënoj me forcën më të madhe dorën gjakatare që i mori jetën, por edhe të gjithë ata të cilët në një mënyrë apo në një tjetër janë direkt apo indirekt të implikuar në këtë akt shumë të rëndë”, tha Berisha.
/m.q/j.p/r.e/