E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk ka projekt dhe arsye për t’u shqetësuar për investimin në Zvërnec, nxitja e narrativave nga lufta hibride

TIRANË, 5 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar lidhur me investimin në Zvërnec pasi aktualisht nuk ka një projekt konkret, ndërsa e cilësoi situatën e krijuar për këtë çështje si një luftë hibride.

Në një prononcim për mediet ndërkombëtare gjatë mbërritjes në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, Rama iu përgjigj interesimit të gazetarëve lidhur me protestat që po zhvillohen kundër investimit në Zvërnec.

Rama theksoi se nuk ka kërkesa për të diskutuar, sepse nuk ka ende një projekt të miratuar.

“Kështu, së pari duhet të kemi projektin dhe pastaj ta shohim projektin, e më pas ta diskutojmë projektin. Por nuk diskutojmë dot diçka që nuk ekziston, por që po paraqitet në të gjithë median sociale në një luftë hibride kundër Shqipërisë, me narrativa të rreme. Sikur ky nuk është projekt, po diçka e gatuar midis meje dhe Netanjahut përmes Jared Kushner, për të sjellë palestinezët në Zvërnec”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, media perëndimore duhet të jetë shumë më e kujdesshme, sepse faktet kanë rëndësi dhe duhet të kenë rëndësi gjithmonë.

Ai theksoi se nuk ka një projekt dhe nuk ka arsye për t’u shqetësuar për aq sa ka të bëjë me projektin.

“Kjo edhe sepse arkitektët më të mirë në botë, inxhinierët më të mirë, arkitektët më të mirë të peizazhit janë angazhuar dhe synimi nuk është që të bëjmë dëm në natyrë, por të bëjmë diçka unike që do të jetë e jashtëzakonshme për shqiptarët, por do të jetë edhe një dhuratë nga shqiptarët për të gjithë Europën”, tha Rama.

I pyetur se çfarë po bën qeveria që të sigurojë ambientalistët për projektin, Rama theksoi se “së pari, kjo nuk ka të bëjë vetëm me ambientalistët, por ka të bëjë pikësëpari me një luftë hibride”.

“Armiq të vendit të cilët i njohim. Të gjithë ata që e dinë historinë tonë i njohin ata, iranianët, të cilët janë angazhuar në sulme kibernetike kundër nesh qysh prej një kohe të gjatë dhe që na kanë bërë kaq shumë dëme sa na kanë detyruar që t’i nxirrnim nga vendi. Ata janë pjesë e kësaj për të nxitur narrativën se projekti nuk është ajo që thuhet, por është një marrëveshje midis meje dhe Netanjahut, gatuar nga Jared Kushner për të sjellë palestinezët nga Gaza në Shqipëri”, tha Rama.

Sipas tij, kjo është një prej narrativave dhe ka tërhequr shumë vëmendje.

“Keni parë shumë video të rreme me qindra-mijëra njerëz që bërtasin ‘Izrael shko në shtëpi’. Është e gjitha e rreme, sepse nuk ka asgjë të tillë në Shqipërinë reale dhe është turp për ata që i bëjnë të gjitha këto gjëra. Nga ana tjetër ka njerëz mirëfilli të shqetësuar e me qëllime të mira dhe ju kam thënë e ju them nuk keni asgjë për t’u shqetësuar sepse projekti nuk është gati. Nuk e kemi projektin”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Rama tha se “kemi qenë të parët që kemi vendosur standardet për projektin që do të duhet ta presim”.

“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në qoftë se nuk sheh që numri i llogarive apo i shqiptarëve në mjedisin digjital është rritur që në ditën e parë të këtyre sulmeve. Është një sulm hibrid”, shtoi Rama. /j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›