E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Kush s`paguan dritat dhe ujin, në burg”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Zaptimi i tokës do të konsiderohet një vepër që do të ndiqet penalisht. Qeveria miratoi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, të cilat parashikojnë ndër të tjera, që puna e zezë dhe zaptimi i tokës të kthehen në vepra penale. Kryeministri Berisha e cilëson këtë ndryshim si tepër të nevojshëm për të ndihmuar më parë procesin "Prona tek i zoti". Në mbledhjen e radhës së Qeverisë, Berisha veçoi një zërë vendimesh për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, si dhe vendimet për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin e Procedurës Penale. Kryeministri u shpreh se këto ndryshime do të bëhen për çështje të ndryshme dhe janë të domosdoshme për t u ndarë njëherë e përgjithmonë nga fenomene të tilla si pushtimi i pronës së tjetrit, dhunimi i ligjeve të territorit, dhënia e fund e përdorimit të krahut të punës si skllevër apo nga fenomeni i abuzimit me ujin, energjinë, etj. “Besoj se këto ndryshime në Kodin Penal do të kenë mirëkuptimin më të madh nga publiku shqiptar, forcat politike, do të jenë debat i diskutimeve të gjera në Parlament, por mendoj se ndryshimet i ka imponuar koha, e cila kërkon çdo ditë e më shumë: Shqipëria nën ligj. Shqipëria e para, por nën ligj”, - tha Kryeministri.
Ndryshimet për energjinë elektrike
Ndryshohen dy vepra penale të parashikuara në nenin 137, i Kodit Penal, “Lidhja e paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve elektrikë”. Me të parin, pra “Lidhjen e paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike” ndryshon statusi i saj nga kundërvajtje në krim, duke u shoqëruar me sanksion penal, dënimin me burgim. Ndërsa për sa i takon “vjedhjes së energjisë elektrike ose impulsive elektrikë”, e cila aktualisht përbën krim, do të ndryshojë vetëm sanksioni, nëpërmjet heqjes së dënimit kryesor, me gjobë, dhe parashkohet vetëm dëmimi me burgim.
Transparency International
“Qeveria e duarve të pastra u faktoi shqiptarëve se kjo platformë, sado e vështirë, është platformë e suksesit. Rezultatet e arritura janë thjesht inkurajim shumë herë më i madh për të vazhduar këtë betejë dhe për të parakaluar në këtë garë të vështirë, çdo vit e më shumë vende, derisa ta vendosim Shqipërinë dhe shqiptarët aty ku e meritojnë”, - u shpreh Kreu i mazhorancës. Berisha përshëndeti indeksin e vlerësimit në luftën kundër korrupsionit, të publikuar një ditë më parë nga “Transparency International”, që e rendit Shqipërinë në krye të vendeve të rajonit në këtë luftë. Duke u ndalur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në indeksin e publikuar nga TI, kryeministri Berisha e vlerësoi atë rezultat i suksesit të përpjekjeve të Qeverisë dhe platformës së duarve të pastra në luftën kundër korrupsionit.
Anëtarësimi në NATO
Kreu i Qeverisë përshëndeti miratimin nga Komisioni i Jashtëm i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Duke i shprehur falënderimet dhe mirënjohjen Komisionit të Jashtëm, Qeverisë amerikane dhe presidentit Bush, kryeministri Berisha e konsideroi këtë një lajm të gëzuar dhe dëshmi të besimit të tyre ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ndryshimet në ligjin për koncesionet
Kryeministri vlerësoi ndryshimet e miratuara nga Kuvendi në ligjin "Për koncesionet", sipas së cilave çdo koncesion me vlerë nën 20 milionë euro nuk do të jepet më me vendim të Këshillit të Ministrave, por nga ministritë përkatëse. Duke shprehur qëndrimin për debatet që shoqëruan miratimin e këtyre ndryshimeve në Kuvend, Berisha informoi se "bonusi i mbetet prapë Këshillit të Ministrave, kurse kontrata duhet të jetë përgjegjësia e Agjencisë që e nënshkruan dhe nuk duhet të mbulohet nga VKM". "Ligji ka si synim kryesor të mos japë mburojë aty ku nuk duhet të ketë mburojë, sepse siç e dini, VKM është e pagjykueshme që nga koha e Napoleonit deri më sot, pasi është akt kolektiv. Nuk mund të vendosë Qeveria njëlloj si për Skavicën edhe për hidrocentralet që duhet të jenë tërësisht tagër i qeverisë vendore", - tha Berisha. Sipas tij, "deputetët e opozitës duhet ta përshëndesnin të parët miratimin e këtyre ndryshimeve, sepse mekanizmat e kontrollit mbi autoritetin kontraktues janë të shumëfishta, kurse kur vjen në sallën e Qeverisë, vendimet fitojnë një lloj imuniteti".

Neni 137 - Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike
Lidhja e paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 2 vjet. Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike dënohet me burgim deri në 3 vjet.

Neni 157 - Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i kanaleve ujitëse dhe kulluese ose veprave që lidhen me to, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 2 vjet.

Neni 159 - Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrjetit të ujësjellësit, dënohet me burgim deri në 3 vjet.

Neni 199, shtohet neni 199/a, me këtë përmbajtje: Ndërtimi i paligjshëm
Ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet, dënohet me burgim deri në 3 vjet, ndërsa në tokën publike ose në tokën e tjetrit, dënohet me burgim deri në 7 vjet. Në nenin 199, të Kodi Penal, propozohet të shtohet një paragraf i ri, i cili parashikon rastin e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor nëpërmjet zjarrvënies. Kjo vepër penale tashmë përcaktohet për herë të parë si krim dhe sanksioni ligjor i parashikuar për të është nga 5 deri në 10 vjet burg dhe me një gjobë që varion nga 500 mijë deri në 1 milion lekë. Në nenin 206, të Kodit, parashikohet se kur zjarrvënia ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve, dënohet me 10 deri në 15 vjet burgim dhe me gjobë nga 1 deri në 2 milionë lekë. Po në këtë nen parashikohen dhe rastet kur zjarrvënia është bërë nga pakujdesia apo pa dashje. Kjo vepër dënohet me 1 deri në 3 vjet burgim dhe në rast se ka pasoja shumë të rënda, që shoqërohen në dëme në shëndetin dhe jetën e njerëzve, dënohet nga 2 deri në 5 vjet.
Ky lajm është publikuar: 25/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›