E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova do të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në Evropën Juglindore

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Jashtëm Lulëzim Basha pati një takim me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, ministrin e Jashtëm të Çekisë, Karel Shvarcenberg dhe ministrin e Jashtëm të Kamerunit, Henry Eyebe Ayissi. Basha dhe Lavrov diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në rajonin e Evropës Juglindore, situatën në Gjeorgji dhe në rajonin e Detit të Zi. Ministri shqiptar theksoi gjatë takimit se zhvillimet në Kosovë demonstrojnë se shpallja e pavarësisë i shërbeu paqes dhe demokracisë në rajon. Ai nënvizoi gjakftohtësinë dhe moderacionin që karakterizoi qeverinë e Kosovës përballë sfidave pas shpalljes së pavarësisë dhe u shpreh se Kosova do të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në Evropën Juglindore. Duke theksuar natyrën unike të Kosovës, Basha u shpreh kundër çdo paralelizmi me Kosovën dhe procesin e pavarësimit të saj. Ministri u takua gjithashtu me homologun e tij çek, Karel Shvarzenberg. Çekia do të marrë presidencën e BE-së në janar 2009 për një periudhë 6- mujore, ku prioritet do të jetë Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria. Marrëdhëniet bilaterale dhe ratifikimi i protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ishin temat e diskutimit. Ministri Basha informoi homologun çek për zhvillimet e fundit në vendin tonë duke u ndalur në veçanti në progresin ekonomik të Shqipërisë, reformat politike si ajo zgjedhore dhe reforma në drejtësi. Duke vlerësuar mbështetjen e dhënë nga Çekia për integrimin në NATO dhe BE, ministri nënvizoi se presidenca çeke përkon me një fazë të rëndësishme për integrimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Basha kërkoi mbështetjen e Çekisë për liberalizimin e vizave midis Shqipërisë dhe BE-së, si një faktor që do të ndihmojë dhe përshpejtojë integrimin e vendit në BE. Dy homologët shkëmbyen pikëpamjet e tyre mbi stabilitetin dhe sigurinë e Evropës Juglindore. Ata u ndalën në veçanti në zhvillimet e fundit në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi. Ministri i Jashtëm çek Shvarcenberg pranoi me kënaqësi ftesën e kreut të diplomacisë shqiptare për të vizituar zyrtarisht Tiranën shumë shpejt. Basha u takua gjithashtu edhe me ministrin e Jashtëm të Kamerunit Henry Eyebe Ayissi. Dy homologët ndanë dëshirën për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve përtej thjesht atij diplomatik. Në lidhje me këtë, ai shprehu dëshirën për akreditim të ambasadorëve në vendet respektive si dhe për forcimin e bashkëpunimit në kuadër të OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare si Frankofonia.
Ministri, pasi theksoi ndikimin e Kamerunit në vendet e Unionit Afrikan, kërkoi mbështetjen e tij për njohjen e shtetit të Kosovës.

Ky lajm është publikuar: 25/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›