E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Largimet e atyre që kanë punuar për partinë e krimit, vetëm ndikime pozitive në PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha zhvilloi ditën e sotme një takim me drejtuesit dhe koordinatorët politikë, e cilësoi situatën në vend si kritike dhe akuzoi kryeministrin Rama për përqendrim të pushtetit dhe dobësim të demokracisë.

Sipas tij, opozita po përballet me një regjim autoritar, ku parlamenti është i paralizuar, komisionet hetimore nuk lejohen dhe deputetëve u mohohet informacioni nga institucionet shtetërore.

Në fokus të fjalës së tij ishte edhe gjendja e brendshme e PD-së. Berisha e konsideroi jetike rritjen e anëtarësimeve dhe organizimin e strukturave, duke kërkuar angazhim konkret nga drejtuesit për hapjen e partisë ndaj qytetarëve të rinj.

Ai theksoi se ka interes të lartë nga qytetarët për t’u anëtarësuar, por kjo pengohet nga mungesa e organizimit dhe reagimit në terren.

“Shpresat e mbarë shqiptarëve janë vetëm tek PD. Ne jemi në një proces zgjedhor, dhe kam kënaqësinë të informoj shqiptarët se, ky proces gjer sot është zhvilluar në përputhje me standardet demokratike dhe në përputhje me statutin e PD. Është zhvilluar bazuar në garën me shumë kandidatë dhe votën e anëtarësisë për kryetarin. Dhe ky është zhvillim shumë i rëndësishëm. Në një seri takimesh kemi rënë dakord që ne jemi të detyruar për veprimtari shumëplanëshe. Ne jemi të detyruar dhe do të ju them një moment këtu.

Rëndësia më e jashtëzakonshme për forcën tonë politike ka që të përqendrohemi që të gjithë në organizim, organizim, organizim. Të bëjmë atë që nuk e kemi bërë, por të bëjmë edhe të që rrethanat e zhbëjnë.

Ne ngrejmë seksionin, emigracioni e zhduk seksionin. Emigracioni dikton një seri ndryshimesh që ne duhet të përshtatemi me shpejtësi. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që të hapim PD-në. Me projekt konkret, çdo kryetar, çdo kryesi, çdo udhëheqës politik duhet të ketë si etalon anëtarësimet e reja dhe hapjen e partisë. E vërteta është se kjo kërkon një ndryshim të madh në qëndrimin tonë, dhe kërkon që të shndërrojmë këtë kriter, në një kriter kryesor të perfomancës tonë. Ka ardhur koha të lëmë mënjanë thirrjet, por të bëjmë vlerësimin.

Ju them ju dhe ua them me përgjegjësi të plotë. Ua them se, pasi unë, pas një seri takimesh dhe hetimesh se janë me qindra e qindra qytetarë që duan të marrin dokumentin e PD. Nuk ka kush ua ofron, e pafalshme për ne.

Thelbi i këtij takimi është ky: Çfarë do të bëni për anëtarësime të reja. Janë me qindra, por dhe mijëra demokrate e demokratë të paanëtarësuar që kërkojnë të marrin dokumentin e PD-së, kërkojnë të regjistrohen, janë njerëz idealistë. Por hasin në plogështinë, apatinë tonë.

Nuk është hera e parë që e shtrojmë këtë, e kemi shtruar dhe në mbledhje të tjera, por tani kjo bëhet imperative. PD-ja ka domosdoshmëri urgjente për ripërtëritjen dhe anëtarësime të reja. Ndaj dhe ju si koordinatorë, si drejtues, këtë mesazh do ua përcjellim dhe kryetarëve të degëve shumë shpejt, duhet të keni në axhendë dhe si tregues kryesor këtë veprimtari. Asnjë njeri të mos mendojë se ka hezitim. Jo. Ka njerëz që kanë hezitim, por ka me qindra, mijëra që janë të gatshëm të anëtarësohen. Janë të shumtë. Ndaj dhe ti vëmë vetes detyra konkrete. Çdo anëtar i PD-së duhet ti vejë vetes detyrë konkrete të anëtarësoj një tjetër, çdo anëtar i kryesisë, çdo kryetar.

Mos harroni se aktualisht në kushtet që jemi, narkodiktatura i tha komunitetit ndërkombëtar, unë nuk pyes për ju.

Pse? E ka për jetë a vdekje ai atë betejë. E ka për veten e vet ai, sepse e di që kudo që ta prekësh del i korruptuar, ai del delinkuentë në çdo gjë. Dhe mos mendojmë se do të ndryshojë. Pra, mbetemi vetëm ne. Mbetet vetëm PD, nuk është detyrë e lehtë, është detyrë shumë e vështirë, është mision i vështirë. Dhe ky mision kërkon që të bëjmë gjithçka për të fuqizuar PD.

Pra, në mbledhje paraprake po me ju diskutuam për shpërndarjen e dokumenteve. Duhet që të kontrolloni këtë proces në mënyrë që anëtarësia të pajiset sa më shpejtë me dokumente. Sot ne kemi drejtim absolut më themelor, organizim, organizim, organizim. Pra, të merremi me partinë. Në kushtet një diktature opozita duhet të bëjë gjithçka që të fuqizohet, duhet të bëjë gjithçka që të dëgjohet. Dhe ne për t’u dëgjuar para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve kemi vetëm një rrugë: protestën, revoltën, kryengritjen.

Edhe njëherë rikthehem, anëtarësimet, anëtarësimet duhet të jenë motoja këtij procesi, e gjithë veprimtarisë tonë. Ne mirëpresim çdo vlerë, mirëpresim qytetarë të cilët nuk pajtohen me këtë situatë, kurrë.

Asnjë ndikim përveç se pozitiv, kanë momentet e largimit të atyre të cilët në fushatën elektorale kanë tradhtuar idealet e demokratëve dhe kanë punuar për mazhorancën e krimit. Mos mendojë njeri se, në shërbim të socialistëve do të ndodhet në gjirin tonë. Jo. Zonja që deri dje ishte e nderuar, bën fushatë për kandidatin e Tom Doshit dhe pastaj del e çirret para mediave të qeverisë se më hoqën nga lista. Jo zonjë, hoqe veten nga lista. Jo zonjë, hoqe veten nga lista. Dhe tjetri shkon e voton për buxhetin e Sakos dhe pastaj bërtet, thotë më ndëshkuan se, prita këtë apo atë. Nuk impresionohemi ne nga këto. Vërtetë ka një grusht njerëzish që shkelen, shiten, bëjnë pazare, por absolutisht demokratët janë në këmbë, janë më të fuqishëm se kurrë dhe do të jenë më të fuqishëm. Ne i qëndrojmë përpekjeve tona të fuqishme për anëtësime, për afrim të vlerave, për organizim sa më solid. Nëqoftëse, gjer para pak kohësh ne kaluam në problematika nga më të ndryshmet, tani nuk kemi, jemi në kilometrin e fundit. Tani jemi vetë, të forcohemi sa më shumë në këtë betejë gjer në fitoren tonë dhe asnjë, asgjë nuk mund të na ndalë ne, pa përmbushur misionin tonë”, tha ndër të tjera Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›