E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mbështesim investimet amerikane

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se PD mbështet plotësisht investimet amerikane në Shqipëri, pavarësisht se ajo nuk ka asnjë njohuri për marrëveshjet e firmosura.

Në një videomesazh në rrjetet sociale, Berisha tha se kjo parti mbështet gjithashtu përpjekjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për diversifikimin e furnizimit me gaz në Europën Juglindore, në Europë dhe më gjerë.

“Por në këtë monolog, Edi Rama u deklaroi shqiptarëve se nga Pashalimani do të ndërtohen anije luftarake për eksport për vende të tjera. Një gjë e njëjtë lloji me fantazinë e tij se samiti i NATO-s sipas tij do mbahet në 2027-ën në Shqipëri dhe po sipas tij, ky samit do të garantohet dhe sigurohet nga dronë Made in Albania. Domethënë, Shqipëria do prodhojë dronët më të sofistikuar”, theksoi Berisha.

Së fundi, vijoi Berisha, Edi Rama bëri fjalë dhe për një arritje tjetër të madhe, sepse një NGO ka vendosur të mbajë në Shqipëri kongresin e saj vitin e ardhshëm.

“Në fakt, sipas tij, kjo është Shoqata Botërore e Juristëve dhe që kongresi do të jetë, do t’i kushtohet ligjit dhe shtetit ligjor. Një lloj kjo me çmimin e ushqimit që mori Sofo Llazri në një kohë kur shqiptarët ishin bark bosh, xhep bosh dhe dyqane bosh. Në fakt, në Shqipëri ata vijnë në një vend ku shteti ligjor është zëvendësuar me kodin e mafies, ku prokuroria është bllokuar tërësisht në përpjekjet e veta në luftën kundër korrupsionit”, tha Berisha.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›