E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nuk i jam shmangur asnjëherë interpelancave

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga foltorja e Kuvendit tha sot se kryeministri Edi Rama po shmang paraqitjen në Kuvend për t’iu përgjigjur interpelancës së kërkuar nga deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj.

Gjatë një replike, kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po shmang paraqitjen në parlament për shkak të “dosjes” së tij, duke theksuar se nuk ka gjë në botë që ta mbyllë atë dosje.

Berisha tha se ai vetë është gjithmonë i gatshëm t’u përgjigjet interpelancave, ndërsa akuzoi Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij se nuk guxojnë të dalin para shqiptarëve.

Kryedemokrati tha se, mazhoranca ka rënë plotësisht dhe po funksionon vetëm në mënyrë formale, ndërsa shtoi se ndaj Kryeministrit po zhvillohet një betejë që do të zbardhet më tej.

“Në përgjigje të trillimit që bëri parafolësi, që nuk jam paraqitur në seanca, kam pasur një pasion të veçantë për t’iu përgjigjur çdo interpelance që është bërë”, tha Berisha.

“Dhe ky pasion nuk ndikohet as nga personi, as nga tematika”, shtoi ish-kryeministri.

Berisha, duke iu drejtuar mazhorancës u shpreh se “ju keni rënë, ju kot votoni, kot sillni ligje e buxhete. Ju keni marrë fund. Po gjë në botë që të mbyllë dosjen e tij nuk ka. Prandaj nuk guxon të vijë t’u përgjigjet interpelancave”.

Në Kuvend u diskutua kërkesa e deputeti Agron Shehaj, i cili kërkoi shtyrjen e interpelancën me kryeministrin Edi Rama, për shkak të mungesës së kreut të qeverisë. Ndërkohë, kreu i parlamentit, Niko Peleshi hodhi në votimin kërkesën, e cila u rrëzua nga mazhoranca, duke lënë në fuqi interpelancën, e cila i është deleguar ministres së Brendshme Albana Koçiu.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›