Berisha për Avokatin e Popullit: Protestat, rruga jonë e vetme

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikimi sot me mediet nga oborri i Kuvendit, deklaroi se protestat janë rruga e vetme përballë, siç u shpreh ai, një mazhorance që synon të marrë edhe institucionin e Avokatit të Popullit.
Sipas Berishës, mazhoranca po “rrëmben” një institucion që tradicionalisht i ka përkitur opozitës.
“Kandidaturat e mbështetura nga PD, zoti Besim Ndregjoni, zonja Adriana Kalaja dhe katër kandidatë të tjerë që plotësonin të gjitha kushtet për të ushtruar me dinjitet këtë detyrë të rëndësishme në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut – u anashkaluan”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se me këtë veprim mazhoranca ka zhbërë edhe përpjekjet më serioze për bashkëpunim ndërmjet palëve në çështje me interes të përbashkët, duke përfshirë disa reforma kyçe.
Berisha shtoi gjithashtu Endri Shabanin se ka siguruar firmat për kandidim “si rezultat i marrëveshjes për kandidaturën e Florian Binës për Bashkinë e Tiranës”.
“Së pari, duket se ai ishte pjesë e një koalicioni moral të të gjitha forcave politike, por më pas dolën probleme që treguan se retorika e tij si opozitar i opozitës nuk ishte e sinqertë. Ai rezultoi të kishte lidhje të drejtpërdrejta me Edi Ramën”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD iu referua edhe vendimit të Komisionit të Ligjeve, sipas të cilit deputetët nuk mund të firmosin për më shumë se një kandidat. Berisha tha se, në respekt të këtij vendimi, grupi parlamentar i PD i dërgoi Kuvendit një shkresë ku njoftonte tërheqjen e çdo firme të depozituar më parë. “Në mënyrë të habitshme, mazhoranca e rrëzoi këtë vendim pa asnjë argument apo procedurë”, shtoi ai.
“Rama mendoi se me këtë proces do të na fuste në lojën e tij, por gaboi. Ne ndoqëm procedurat, mbështetëm vetëm kandidaturat e PD-së dhe, sipas rregullit të përcaktuar nga Komisioni i Ligjeve, tërhoqëm firmat. Ai hoqi maskën. Me gjithë përpjekjet për të shmangur atë që ndodhi sot, Edi Rama nuk u tërhoq, sepse është si i mbyturi që kapet pas çdo fije bari”, tha Berisha.
Në përfundim, ai theksoi se opozita nuk ka më asnjë rrugë tjetër përveç protestave.
“Vetëm protestat janë rruga. Momenti do të përcaktohet së bashku. Me Edi Ramën nuk ka alternativë tjetër. Kur një marrëveshje e tillë shkelet kaq hapur, çfarë vlere ka të vazhdojmë bisedimet? Grupi parlamentar do t’i diskutojë të gjitha dhe do të japë përgjigjen që meritojnë. Nuk bëhet fjalë vetëm për dy reforma, por për një qëndrim të prerë. Ne u angazhuam për Avokatin e Popullit në interes të qytetarëve, që ata të kishin një përfaqësues të guximshëm për mbrojtjen e të drejtave të tyre”, përfundoi Berisha.
/a.f/r.e/