E Enjte, 5 Nëntor 2026

Berisha: Qëndrimi ndaj grave, themelor për emancipimin e shoqërisë

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se “PD qëndrimin e saj ndaj grave dhe vajzave e konsideron një qëndrim themelor të emancipimit tonë shoqëror”.

Berisha mbajti një fjalë në konferencën për “Pjesëmarrjen e Grave në Proceset Politike”  organizuar në Tiranë nga Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin “Jarl Hjalmarson”.

Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve u shpreh se në parlament mungon zëri në mbrojtje të grave.

“Nëse ndiqni qëndrimin dhe diskursin e përditshëm, fjala grua, barazi e saj me burrin, luftë kundër diskriminimit, politik, social, ekonomik janë zhdukur nga fjalori i qeveritarëve, mjerisht edhe ministreve të Shqipërisë. Zëri i tyre mungon në çdo rast kur ato duhet të jenë avokate kryesore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, zëri i qeveritarëve mungon edhe në rastin e dhunës ekstreme ndaj grave.

“Është e papranueshme që me gjithë numrin e konsiderueshëm të tyre në parlament, ndonëse kanë sjellë rezoluta për të dënuar opozitën nuk kanë sjellë një rezolutë për të mbrojtur dhe sanksionuar të drejtat e grave dhe të fëmijëve, në atë parlament”, theksoi Berisha.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›