E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Partia e Lirisë, 11 amendamente për buxhetin 2025

TIRANE, 24 nëntor/ATSH/ Partia e Lirisë paraqiti sot për publikun 11 amendamente për buxhetin 2025, duke u shprehur se  ky buxhet i krijuar nga mundi dhe sakrificat e jashtëzakonshme të shqiptarëve ndodhet në duart e një qeverie të korruptuar deri në palcë.

Sipas PL-së, shpërndarja e fondeve provon qartë se shtresat sociale më në nevojë do të mbajnë mbi supe koston e korrupsionit të përbindshëm.

PL deklaroi se në mbështetje të 5 prioriteteve madhore të Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus, deputetët e saj në Kuvendin e Shqipërisë kanë përgatitur dhe do të paraqesin për miratim 11 amendamente për Buxhetin 2025 në seancën plenare për votimin nen për nen të tij.

Amendamentet e Partisë së Lirisë:

Rritje të mbështetjes për pensionet me 16.2 miliard lekë, ndryshe nga rritja qesharake e Qeverisë e parashikuar me vetëm 1.6 miliard lekë.
Rritje me 6 miliard lekë të mbështetjes për barnat e rimbursueshme, si ndihmë konkrete për pensionistët dhe qytetarët në përgjithësi.
Shtesë 2 miliard lekë për trajtimin me barna dhe aparatura për sëmundjet onkologjike, si përgjigje për dramën që po përjetojnë mijëra të sëmurë dhe familjet e tyre.
Shtesë 2 miliard lekë për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, që po përjetojnë një situatë tepër të rëndë.
Shtesë 1.5 miliard lekë për Arsimin bazë, si përgjigje ndaj analfabetizmit dramatik funksional, që po rrënon të ardhmen e vendit.
Shtesë 1.2 miliard lekë për Arsimin e Mesëm.
Shtesë 1 miliard lekë për Arsimin Universitar.
Shtesë 0.5 miliard lekë për Zhvillimin e Sportit.
Shtesë 5.6 miliard lekë për Përkujdesin Social, të papunët dhe personat me aftësi të kufizuar, ndryshe nga përbuzja e Qeverisë, që nuk parashikon asgjë për këtë kategori që përballet me varfëri ekstreme.
Shtesë 1.5 miliard lekë për subvencione për Bujqësinë dhe fermerët, si përgjigje për dramën që po përjeton fshati dhe fermeri shqiptar.
Fond 7.9 miliard lekë për mbështetjen e rritjes së pagave që nga fillimi i vitit 2025.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›