Berisha: Skënder Hita, problematik dhe i emëruar nga Balluku

TIRANË, 30 mars /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot kreun e ri të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si një person problematik dhe si i lidhur me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Gjatë një konference për shtyp nga selia blu, Berisha e përshkroi Hitën si një “emër problematik”.
“Ku punonte herën e fundit ky? Në Fier, pranë Belinda Ballukut. Ky është një pion i Ballukut, si Karakaçi e stërKarakaçi. Dihej kjo, është thënë një muaj më parë se Lubia (Balluku) ka përcaktuar drejtor policie në Fier. Shumë shpejt do të paraqesim materialet për këtë,” tha Berisha.
Kreu i PD theksoi se drejtorin e ri të Policisë së Shtetit “do ta quani drejtori Balluku. Koha tregon se Rama është nën ndikimin e Ballukut.”
Duke folur mbi protestën e paralajmëruar për 17 prillin, Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje dhe ndërgjegjësim qytetar:
“Të mos lejojmë që akte vjedhjeje të tmerrshme të taksave të shqiptarëve dhe të pasurive publike nga anëtarët e organizatës kriminale të kryesuar nga Edi Rama, të na mbyllin dyert e të ardhmes evropiane dhe të vazhdojmë të shpërbehemi si komb. BE-ja e ka thënë qartë: nuk mbyllet asnjë kapitull pa votimin e IBAR-it, dhe IBAR nuk votohet pa përmbushjen e standardeve të kërkuara. Bllokimi i IBAR-it do të thotë bllokim i çdo kapitulli,” deklaroi Berisha.
Ai përfundoi me një thirrje drejtuar qytetarëve: “Ftoj shqiptarët më 17 prill të flasin për veten e tyre, për të ardhmen e tyre në Europë.”
/e.i./a.f/