E Diel, 1 Nëntor 2026

Beteja e ardhshme e Kosovës: Mëkëmbja e ekonomisë

Një shëtitje nëpër bulevardin "Bill Klinton" të Prishtinës, kryeqytetin e Kosovës, tregon më së miri përse beteja e nëntë viteve të fundit për shkëputjen nga Serbia është edhe pjesa më e lehtë e procesit të pavarësisë. Pjesa më e vështirë për Kosovën, që shpejt do të shpallë pavarësinë, do vijë në çastin kur do të përballet me ekonominë e gjunjëzuar, kur të nisë të rregullojë rrugët dhe të prodhojë aq energji elektrike, sa dritat të mos fiken për asnjë çast.

"Mëkëmbja e ekonomisë është një ndër prioritetet kryesore", thotë admirali amerikan, Mark Fitzxherald, komandanti i Forcave Ushtarake aleate të NATO-s, me shtab në Napoli të Italisë. Admirali gjatë këtij muaji udhëtoi në Kosovë për të takuar Kryeministrin e sapozgjedhur, Hashim Thaçi.

Me 16 mijë trupat paqeruajtëse ndërkombëtare që ruajnë statusin e paqes mes banorëve shqiptarë dhe serbë, Kosova po hyn në botën e shteteve me handikape të rënda.

Rajoni më i varfër i ish-Jugosllavisë ka trashëguar një infrastrukturë në gjendje të mjeruar; popullsi prej rreth dy milionë banorësh, gjysma e të cilëve nën moshën 25-vjeçare; shifër papunësie mbi 50 për qind dhe një sistem taksash të bazuar te doganat.

"Për ta shpënë ekonominë në gjendje të kënaqshme, duhen vite e vite të tëra", thotë Mark Lamanen, numri dy i misionit të OSBE-së në Kosovës.

"Jetim i birësuar"

Që nga viti 1999, kur bombardimet e NATO-s larguan forcat e armatosura serbe nga shumica e territorit kosovar, vendi ka qenë në një farë mënyre "i birësuar" nga komuniteti ndërkombëtar. Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian mbështesin pavarësinë, Serbia dhe Rusia e kundërshtojnë me forcë. Ka qenë BE-ja, Banka Botërore dhe institucionet e tjera ndërkombëtare ato që e kanë mbajtur të gjallë ekonominë kosovare. Vetëm për vitin e shkuar, buxheti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ishte 217 milionë dollarë.

Për shqiptarët, të cilët përbëjnë më se 90% të popullsisë, pavarësia do të thotë një fillim i ri. Pas viteve nëntëdhjetë - të përgjakura nga represioni politik, luftërat, mijëra të zhdukur e të vrarë, si edhe vitet e emigracionit masiv - janë të shumtë ata që ndihen të lodhur nga mosmarrëveshjet ballkanike që e kanë kthyer gadishullin në një zonë të frikshme.

"Kjo pjesë e Evropës ka prodhuar shumë histori, madje shumë më tepër nga ç‘duhet", thotë Agim Zatriqi, drejtor i Radiotelevizionit Publik të Kosovës. "Tani është koha të prodhojmë gjëra më të vlefshme".

"Shpejt kosovarët nuk do kenë më shanse të fajësojnë mësuesit ndërkombëtarë për ritmet e ulëta të zhvillimit ekonomik", thotë Akan Ismaili, zëvendëspresident i "Ipko.net", një ndër kompanitë më të rëndësishme të internetit në Kosovë.

Psikologjia e varësisë

"Ajo që do të ndryshojë është psikologja e varësisë", thotë Ismaili, kompania e të cilit në vitin 2006 ia shiti pjesën më të madhe të aksioneve "Telekom Slovenije d.d", kompanisë shtetërore të telefonisë sllovene, dhe që tani po planifikon të shpenzojë 200 milionë dollarë në investime të reja.

Mund të zini në gojë gjithçka, nga shtëpitë e banimit, te shkollat, dhe Kosovës i duhen të gjitha. Prodhimi i energjisë elektrike ka shumë probleme, dritat shkëputen disa herë në ditë në kryeqytet, ndërsa në disa fshatra të thellë nuk mund të flitet për energji elektrike.

Banka Botërore ka sponsorizuar planifikimin e një centrali të ri elektrik, që do prodhojë energji falë rezervave të mëdha të qymyrit që fshihet nën sipërfaqen e Kosovës. Katër kompani evropiane dhe amerikane janë hedhur në garë për të fituar të drejtën e ndërtimit të centralit. Gjithsesi, ky central, i cili mendohet se do të kushtojë 4 miliardë dollarë, nuk do të jetë gati përpara vitit 2014. Faza e dytë e projektit, e cila do ofrojë mundësinë e të ardhurave financiare falë shitjes së energjisë në vendet fqinje, nuk do të përfundojë më shpejt se katër vjet pas së parës.

Nëntoka dhe turizmi

Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë ndihmuar Kosovën në procesin e privatizimit. "ArcelorMittal", lideri botëror në industrinë e prodhimit të çelikut, ka blerë dy impiante prodhimi, megjithëse shitja nuk do të nënshkruhet përfundimisht përpara zgjidhjes së statusit të Kosovës. "Industria minerare dhe turizmi mendohet se do të tërheqin investitorët e huaj", thotë Pol Akda, zyrtar i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Enklavat serbe e shohin pavarësinë si kërcënim. Ndër rreth 120 mijë serbët që banojnë në Kosovë, pothuajse gjysma banojnë në rajonin mbi lumin Ibar, kur përfshihet edhe gjysma e qytetit të Mitrovicës. Me mbështetjen ekonomike dhe politike të Beogradit, këta serbë e kundërshtojnë me forcë pavarësinë.

Slavisha Staniç, sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Tregtisë në Mitrovicë, thotë se ndërhyrjet e ndërkombëtarëve nuk lejojnë që serbët dhe shqiptarët t‘i zgjidhin mes tyre problemet.

Më shumë investime

"Sikur nëpër media të flitej më pak për pavarësinë, do kishim më shumë investime", thotë Staniç, i cili për gjithçka bën me faj shqiptarët. Qëndrime të tilla kanë bërë që në këtë qytet tensionet të mbeten më të larta se gjetkë në Kosovë.

Serbët, shqiptarët dhe vëzhguesit ndërkombëtarë druhen se shpallja e pavarësisë mund të shoqërohet me shpërthime dhune. Megjithëse me trupat e NATO-s, që ruajnë kufirin me Serbinë, askush nuk pret një luftë tjetër, apo përplasje si ato të marsit të vitit 2004, për shkak të së cilave humbën jetën 19 njerëz.

"Do të ketë rritje temperature, por nuk do të zgjasë shumë, pasi nuk ekziston mjedisi i përshtatshëm për ta ushqyer", thotë ushtaraku i lartë francez, Havier De Marnhak, komandanti i forcave të NATO-s në Kosovë. "Flamuri i NATO-s do të valëvitet në territorin kosovar shumë gjatë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›