E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha në Astir: Do keni infrastrukturën më moderne arsimore, shëndetësore dhe rrugore

TIRANË, 30 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim elektoral në njësinë numër 14 në Tiranë, e njohur si zona e Astirit, ku edhe bëri prezantimin e kandidatëve për “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për qarkun e Tiranës.

Gjatë fjalës së tij, Berisha prezantoi edhe programin e PD-së, duke theksuar se banorët do të kenë infrastrukturën më moderne arsimore, shëndetësore dhe rrugore.

Berisha tha se në projektin e qeverisë së ardhshme do të adresohen me urgjencë gjithë problemet e krijuara nga injorimi i qeverisë.

“Garanci për këtë do jenë deputetët tuaj, kryetari i PD tuaj, do të jetë Sali Berisha. Ju që mbrojtët vlerat qytetare, mbrojtët banesat tuaja, ju do të keni infrastrukturën më moderne arsimore, shëndetësore, rrugore dhe të gjithanshme”, tha Berisha.

“Të imagjinosh një zonë kaq të madhe, pa asnjë kopsht, pa asnjë çerdhe, do të thotë të kesh urrejtje për fëmijët dhe ai që urren fëmijët, ai është ligësi e të gjitha ligësive”, shtoi Berisha.

Sipas Berishës “të lësh një territor kaq të gjerë, një popullatë që shkon në 60-70 mijë banorë pa shkollë, do të thotë të urresh fëmijët, shkollimin e tyre, të ardhmen e tyre”.

“U jap fjalën e nderit se kjo situatë dramatike do marrë fund brenda 100 ditëve të para”, nënvizoi Berisha.

Berisha shtoi po ashtu se “shqiptarët do kenë të njëjtën listë rimbursimi të ilaçeve si republika italiane”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›