Dosja “Partizani”, shtyhet për në 22 dhjetor seanca në GJKKO

Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish për në 22 dhjetor, ora 11:00 seancën për shqyrtimin e dosjes “Partizani”, ku nën akuzë janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe të tjerë.
Sipas gazetares Lusi Përgjegji, shkak i shtyrjes është bërë mungesa e gjyqtares Rudina Palloj për arsye shëndetësore.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Dhëndri i ish- kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Fatmir Bektashi: Ndërtues, akuzohet për “Korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe ‘pastrim parash’.
Xhimi Begeja: Ortak i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ akuzohet për ‘Pastrim Parash’.
Andia Pustina: Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k, akuzohet për ‘Pastrim Parash’.
Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Studio Pustina sh.p.k.: akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Homeplan sh.p.k.:, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal;
Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Kontakt sh.p.k.:, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal.
/rtsh.al/