Investigimi/ Donatori danez me mutacionin kancerogjen dhurues për 17 vite, materiali u shpërnda në 14 vende, përfshi dhe Shqipërinë

Një dhurues materiali genetik me një mutacion të trashëguar në gjenin TP53, që rrit rrezikun për kancer, ka lindur pothuajse 200 fëmijë në 14 vende të Evropës, sipas hetimit të Rrjetit të Gazetarisë Investigative të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU). Në Belgjikë, 53 fëmijë janë ngjizur në klinika lokale duke përdorur spermën e tij.
Hetimi i BBC-së, zbuloi se disa dhjetëra foshnje lindën nga 38 gra në Belgjikë duke përdorur spermë nga një donator anonim danez, duke shkelur kufirin kombëtar prej gjashtë grash për donator. Donatori, pa e ditur, kaloi te pasardhësit e tij mutacionin TP53, i cili rrit ndjeshëm rrezikun për kancer.
Sperma nga ky donator i veçantë u përdor në 67 klinika fertiliteti në 14 vende: Shqipëri, Belgjikë, Qipro, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Greqi, Islandë, Itali, Holandë, Portugali, Spanjë dhe Mbretëria e Bashkuar.
Vendet e njohura si destinacione kryesore për trajtimin e fertilitetit (turizëm riprodhues) dhe që marrin kështu sasi të konsiderueshme të spermës së donatorëve përfshijnë Spanjën, Çekinë, Danimarkën dhe Belgjikën. Në disa raste, si Italia, një përqindje e madhe e spermës së dhuruar vjen nga bankat e huaja të spermës.
Sipas të dhënave të EBU, të paktën 197 fëmijë janë ngjizur në Evropë me spermën e këtij donatori. Numri real mund të jetë më i lartë, pasi pesë vende nuk kanë publikuar ende informacion. Nga këta, 99 foshnje u ngjizën në Danimarkë dhe 35 në Spanjë.
Donatori u identifikua në nëntor 2023 nga Banka Evropiane e Spermës në Danimarkë, e cila njoftoi autoritetet belge. Ai kishte filluar dhurimin në vitin 2005 dhe sperma e tij u përdor për rreth 17 vjet.
Banka Evropiane e Spermës theksoi se kufiri i dhurimeve ishte shkelur, duke fajësuar “raportimin e pamjaftueshëm nga klinikat, sistemet jo të forta dhe turizmin e fertilitetit”. Mutacioni TP53 nuk u zbulua gjatë kontrolleve mjekësore, pasi është një variant i ri dhe i panjohur më parë.
Sipas ekspertëve, pjesa më e madhe e trupit të donatorit nuk ka mutacionin, por deri në 20% e spermës së tij e përmban atë. Çdo fëmijë i lindur nga këta spermatozoidë do të ketë mutacionin në çdo qelizë. Dr. Edwige Kasper, gjenetiste e kancerit në Spitalin Universitar të Rouen, tha për BBC: “Disa fëmijë kanë zhvilluar tashmë kancer, disa kanë pasur dy lloje të ndryshme kanceresh, dhe disa kanë vdekur në moshë shumë të re.”
Hetimi nxjerr në pah mungesën e koordinimit të dhurimit të spermës në Evropë, pasi nuk ka kufizime të përbashkëta për numrin e fëmijëve nga një donator. Kufizime kombëtare ekzistojnë, por ato u shkelën si në Belgjikë ashtu edhe në Spanjë. Muajin e kaluar, Shoqata Evropiane e Riprodhimit Njerëzor dhe Embriologjisë rekomandoi kufizimin e numrit të familjeve për një donator në BE në 50.
/rtsh.al/