Berisha takon Baseskun, fton investitorët rumunë në Shqipëri
Kryeministri Berisha mirëpriti dje në një takim Presidentin e Rumanisë, Trajan Basesku, nga i cili mori mbështetjen për proceset integruese të Shqipërisë në BE. Presidenti Basesku, gjatë kësaj bisede, tha se ka një interes të madh, që Shqipëria dhe vendet e tjera aspiruese të Ballkanit Perëndimor të bëhen sa më shpejt anëtare të familjes europiane. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, si dhe miqësia tradicionale mes dy popujve, e shprehur edhe me mbështetjen që populli rumun i dha komunitetit të shqiptarëve të Bukureshtit, të cilët dhanë një kontribut të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar në fillimet e shekullit të kaluar. Më tej, kryeministri Berisha e njohu presidentin me reformat politike ekonomike dhe institucionale dhe arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare në të gjitha fushat, duke u ndalur në veçanti në potencialet e jashtëzakonshme që vendi ofron për investitorët rumunë në sektorë si energji e rinovueshme, turizëm, industri minerare. Ndër të tjera, në takim u vlerësua fakti që, në sajë të këtyre reformave, ekonomia shqiptare i rezistoi me sukses krizës globale dhe Shqipëria nuk përjetoi recensionin si vendet e tjera të Europës dhe më gjerë, por ekonomia shqiptare vijoi të rritet edhe në vitin 2009 me rreth 4%. Në këtë kontekst, u rikonfirmua vendosmëria e të dyja vendeve për të nxitur investimet e ndërsjella, si dhe për të zgjeruar dhe intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Topalli-Basesku: Do të intensifikojmë diplomacinë parlamentare
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në takim Presidentin e Rumanisë, Traian Basesku. Gjatë bisedës Topalli vuri theksin në arritjet e vendit, si dhe në rolin që ka luajtur diplomacia parlamentare. Ajo gjithashtu shtoi se diplomacia parlamentare midis dy vendeve do të nxitet edhe më tej. Presidenti Basesku tha se janë kohëra ku parlamenti ka marrë një rol thelbësor në vendimmarrjen jo vetëm kombëtare, por edhe atë europiane, si një faktor kyç dhe element thelbësor i politikës ndërkombëtare. Presidenti i Rumanisë pasi shprehu kënaqësinë për këtë ritakim me kryetaren e Kuvendit në Shqipëri, tha se shpreson në një vizitë të afërt të saj në Rumani, ndërsa kryetarja e Kuvendit tha se po ashtu do të jetë kënaqësi të mirëpresë kryetaren e Parlamentit të Rumanisë në Shqipëri. Më tej Topalli bëri një panoramë të ligjeve të miratuara në Kuvend ndërsa shprehu pakënaqësinë për mospjesëmarrjen e opozitës. “Kuvendi në këto muaj ka bërë një punë të madhe. Mbi 170 ligje janë miratuar e votuar. Ligje të reformave që kanë bërë të mundur arritjen e vendimit të 27 majit për heqjen e vizave. Kam keqardhje që opozita nuk u bashkua me maxhorancën në axhendën integruese të Kuvendit. Çdo politikan duhet të këtë përgjegjësi ndaj shtetit dhe qytetarëve, ndaj dhe unë shpresoj që opozita do të bëhet pjesë bashkëpunuese dhe jo penguese e përpjekjeve tona integruese. Opozita duhet të jetë luajale ndaj vendit dhe qytetarëve”, - tha kryetarja e Kuvendit Topalli.
9 Qershor 2010