E Diel, 1 Nëntor 2026

Borchardt: “Korrupsioni, ende një problem, kushti për liberalizimin e vizave”



Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, deklaroi dje se korrupsioni në Shqipëri vazhdon të mbetet një problem shqetësues. Borchardt i kërkoi qeverisë të bëjë më shumë kujdes, pasi lufta ndaj korrupsionit mbetet një nga kushtet për liberalizimin e vizave. Deklarata e ambasadorit gjerman u bë në 1-vjetorin e Qendrës Kombëtare të Licencimit të Bizneseve. Ndërsa kryeministri Sali Berisha, prezent në këtë ceremoni, deklaroi se qeveria e tij ka vullnet për të çuar deri në fund luftën ndaj korrupsionit. "Themelimi i Qendrës së Licencimit të Bizneseve ishte i një rëndësie të veçantë për Shqipërinë, pasi lehtësoi procedurat e licencimit. Numri i madh i licencimit të bizneseve ka shmangur krijimin e ekonomisë joformale. Krijimi i qendrës ishte një sinjal politik i rëndësishëm për Shqipërinë dhe qeverinë, i cili u mirinterpretua nga partnerët perëndimorë. Kjo tregoi se qeveria është e angazhuar për të luftuar zvarritjet dhe burokracitë. Megjithatë, më duhet të them se edhe pas krijimit të kësaj qendre, korrupsioni mbetet një problem serioz në vendin tuaj", - tha Borchardt. Nga ana tjetër, kryeministri Berisha u shpreh: "Qeveria ime është e vendosur të marrë çdo masë për të luftuar këtë kancer, i cili kërcënon më shumë se çdo gjë tjetër klimën e biznesit, por dhe mirëqenien në vend të qytetarëve të vendit. Unë jam këtu për të garantuar qytetarët shqiptarë se një nga një do të shqyrtohet çdo procedurë, në mënyrë që secila prej tyre të bëhet e papërshkrueshme nga korrupsioni”.

9 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›