E Hënë, 2 Nëntor 2026

Betohen ushtarakët e rinj, Begaj: Shërbimi ndaj atdheut është i shenjtë. Sfidat gjeopolitike kërkojnë Forca të Armatosura të përgatitura

Presidenti Bajram Begaj përshëndeti ushtarakët e rinj gjatë ceremonisë solemne të betimit të tyre, të cilët kanë zgjedhur t’i shërbejnë Atdheut duke hedhur hapin e parë në rrugëtimin e tyre si pjesë e Forcave të Armatosura.

Begaj u shpreh se betimi ushtarak është një akt solemn, ndërsa u kujtoi të rinjve se mbi supet e tyre do të mbajnë barrën fisnike të mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë. Sipas tij, zgjedhja për t’i shërbyer Forcave të Armatosura është më shumë se një profesion, është nder, krenari dhe shërbim ndaj misionit të shenjtë të mbrojtjes së atdheut.

“Sot është një ditë e veçantë për ju. Betimi ushtarak është një akt solemn, një zotim i qartë përpara flamurit dhe kombit, një premtim që shoqëron çdo ushtarak gjatë gjithë jetës së tij. Është zotimi më i madh që çdo qytetar mund t’i bëjë atdheut të tij. Ky është çasti kur fjala merr peshën e përgjegjësisë dhe nderi dhe dashuria për atdheun bëhen një. Do të mbani mbi supe barrën e rëndë, por shumë fisnike, të mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë. Ju përfaqësoni shpresën dhe forcën morale të institucionit të mbrojtjes. Ky betim është kurorëzimi i një periudhe intensive stërvitjeje dhe formimi, gjatë së cilës keni ndërtuar disiplinën, karakterin dhe bindjen se shërbimi ndaj atdheut është i shenjtë.

Zgjedhja që keni bërë është fisnike. Të shërbesh në Forcat e Armatosura është më shumë se një profesion; është nder dhe krenari, si dhe shërbim ndaj misionit të shenjtë të mbrojtjes së atdheut dhe garantimit të paqes dhe sigurisë. Paqja dhe siguria nuk merren të mirëqena, por janë vlera që duhen mbrojtur çdo ditë”, tha Begaj.

Begaj vuri theksin te situata e sigurisë në Europë dhe rajon, duke theksuar se paqja dhe siguria nuk janë të mirëqena. Ai kujtoi se lufta e Rusisë në Ukrainë ka vënë në pikëpyetje sigurinë europiane, ndërsa aktorë që nuk ndajnë vlerat e lirisë dhe demokracisë paraqesin sfida të reja gjeopolitike edhe për rajonin tonë.

“Sot, paqja dhe siguria në Europë janë vënë në pikëpyetje pas luftës së Rusisë në Ukrainë. Bota po përballet me probleme të ndërlikuara nga aktorë që nuk ndajnë vlerat e lirisë dhe demokracisë. As rajoni ynë nuk është i izoluar nga këto zhvillime dhe Shqipëria vlerëson rëndësinë strategjike të stabilitetit të rajonit tonë, veçanërisht rolin e Kosovës për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Si anëtare e NATO-s, Shqipëria nuk ka vetëm përfitime, por edhe detyrime. Me kontributin aktiv në misionet e NATO-s, BE-së dhe OKB-së, Forcat tona të Armatosura kanë treguar profesionalizëm, besueshmëri dhe përkushtim ndaj paqes ndërkombëtare”, tha Begaj.

Ai shtoi se sfidat gjeopolitike dhe të sigurisë, të shënuara nga kërcënime hibride dhe zhvillime të shpejta teknologjike, kërkojnë Forca të Armatosura të modernizuara dhe të përgatitura.

“Sfidat gjeopolitike dhe të sigurisë, të shënuara nga kërcënime hibride dhe zhvillime të shpejta teknologjike, kërkojnë që t’u përgjigjemi nevojave të kohës. Forcat e Armatosura janë modernizuar dhe kanë forcuar kapacitetet e tyre, ndërsa do të rritet edhe buxheti i mbrojtjes për të garantuar rritje cilësore dhe të qëndrueshme të Forcave të Armatosura”, tha ai.

Gjatë ceremonisë, rekrutët u betuan për besnikëri ndaj Republikës së Shqipërisë, duke shprehur angazhimin për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe interesat kombëtare të vendit. Ky moment shënon nisjen zyrtare të shërbimit të tyre ushtarak dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura.

Në aktivitet morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, familjarë të ushtarakëve të rinj, si dhe të ftuar të tjerë. Ceremonia u shoqërua me mesazhe motivuese, duke theksuar rëndësinë e disiplinës, profesionalizmit dhe sakrificës në përmbushjen e misionit fisnik të mbrojtjes së Atdheut.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›