E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadastra: 95,3% e territorit të vendit i mbuluar me regjistrim fillestar

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës njoftoi se 95,3% e territorit të Shqipërisë është tashmë i mbuluar me regjistrim fillestar, pas përfundimit të këtij procesi në 118 zona kadastrale në të gjithë vendin.

Sipas Kadastrës, përfundimi i regjistrimit fillestar përbën një tjetër objektiv të realizuar në kuadër të Agjendës Kombëtare të Reformave drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke krijuar një regjistër kadastral digjital dhe të unifikuar.

“95.3% e territorit të Shqipërisë tashmë është mbuluar me regjistrim fillestar. Një tjetër objektiv i përmbushur në Agjendën e Reformave drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, bëri të ditur Kadastra.

Kadastra thekson se në 118 zonat ku ka përfunduar regjistrimi fillestar janë regjistruar rreth 92 mijë pasuri, nga të cilat 65% janë toka bujqësore. Gjithashtu, rreth 17 mijë pasuri private janë regjistruar, duke u krijuar qytetarëve mundësinë të aplikojnë për certifikatën e pronësisë.

Kadastra nënvizoi se përfundimi i këtij procesi hap rrugën edhe për trajtimin e aplikimeve për kalimin e tokës bujqësore nga përdorimi në pronësi. Në këto zona janë identifikuar 59 605 pasuri bujqësore që do të përfshihen në këtë proces.

Agjencia fton qytetarët të verifikojnë në faqen zyrtare nëse fshati i tyre është pjesë e listës së zonave ku regjistrimi fillestar ka përfunduar.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›