Yzeiraj: Menaxhimi etik i inteligjencës artificiale, sfidë kryesore për ekonomitë

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, deklaroi se menaxhimi i sigurt dhe etik i inteligjencës artificiale (IA) ishte një nga temat kryesore të diskutimit në takimin e Konstituencës së Shqipërisë pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të zhvilluar në Lisbonë, Portugali.
Yzeiraj bëri të ditur se gjatë takimit me përfaqësuesit e vendeve të Konstituencës u diskutua mbi zhvillimet makroekonomike, qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare përballë krizave të fundit dhe përgjigjet e përbashkëta ndaj sfidave të së ardhmes.
“Një pjesë e madhe e takimit iu dedikua zhvillimeve të lidhura me inteligjencën artificiale. Zhvillimi i ardhur prej saj është i padiskutueshëm, por edhe sfidat dhe pikëpyetjet janë po aq madhore. Nevoja për të menaxhuar në mënyrë të sigurt dhe etike të dhënat dhe informacionin, si dhe përdorimi i saktë i teknologjive të reja, ishin disa nga sfidat kryesore për të cilat diskutuam me kolegët e vendeve me të cilat bashkëpunojmë”, u shpreh Yzeiraj.
Sipas tij, Konstituenca përfaqëson kapitalin dhe interesat e Shqipërisë pranë FMN-së dhe Bankës Botërore, duke shërbyer si një urë e rëndësishme për mbështetjen financiare dhe teknike që vendi ka përfituar gjatë 35 viteve të fundit.
/e.xh/j.p/r.e/