Biznesi vlerëson performancën e Doganës, rritet përfshirja dhe bashkëpunimi

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Doganave po thellon bashkëpunimin me komunitetin e biznesit, në funksion të rritjes së transparencës dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve doganore.
Kjo qasje është në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Europian, duke synuar një administratë moderne, efikase dhe tërësisht digjitale.
Sipas të dhënave të marra nga pyetësori më i fundit i zhvilluar me bizneset, administrata doganore ka marrë vlerësime maksimale për performancën e saj në disa drejtime kyçe.
Bizneset kanë vlerësuar progresin në digjitalizimin e shërbimeve dhe lehtësimin e aksesit online, si dhe reduktimin e kohës së përpunimit të deklaratave për import, eksport dhe tranzit.
Po ashtu, një tjetër element i vlerësuar ka qenë procesi i autorizimit të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar, të cilët përfitojnë lehtësira në procedura dhe kontrolle doganore.
Drejtoria e Doganave thekson se mbetet e angazhuar në mënyrë të pandërprerë për të dëgjuar dhe përfshirë opinionin e komunitetit të biznesit, me qëllim garantimin e një shërbimi sa më cilësor dhe të përshtatur me nevojat reale të operatorëve ekonomikë.
Në këtë kuadër, fton të gjithë përfaqësuesit e bizneseve që të japin mendimin e tyre përmes plotësimit të pyetësorit të dedikuar, i cili është i disponueshëm në gjuhën shqipe dhe anglisht në linkun përkatës.
/r.e//a.f/