Denaj: Fermerët duhet të formalizohen për të përfituar kredi me interesa të ulta

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë një interviste sot në media, theksoi rëndësinë e formalizimit të sektorit bujqësor për të përfituar nga instrumentet e financimit të ofruara nga qeveria, përfshirë kreditë me interesa të ulëta dhe subvencionet.
Denaj nënvizoi se mbështetja për bujqësinë nuk duhet të kufizohet vetëm në skemat e subvencioneve, por të shoqërohet edhe me qasje reale në financime përmes kredive të buta. “Nëse nuk prodhojmë sipas standardeve të tregut, nuk mjafton vetëm subvencioni. Na duhet edhe një mekanizëm financiar që nxit prodhimin, përpunimin dhe tregtimin në një zinxhir të qëndrueshëm ekonomik”, u shpreh ministrja.
Ajo theksoi se një nga sfidat kryesore për kreditimin e bujqësisë është mungesa e formalizimit.
“Nëse fermerët mbeten në statusin individual, pa dokumentacion të rregullt, bankat nuk mund t’i financojnë. Formalizimi është kusht. Nuk mjafton të kesh një NIPT fermeri; është koha që fermerët të kalojnë në formën e ndërmarrjeve bujqësore, qoftë edhe me 1 apo 2 hektarë”, apeloi Denaj.
Ministrja shtoi se formalizimi nuk është vetëm një kërkesë burokratike, por një hap drejt rritjes dhe forcimit të pozicionit të fermerëve në treg.
“Ky është një apel që fermerët të mos ndihen të vegjël, por të kuptojnë peshën që kanë dhe ta formalizojnë punën e tyre”, tha ajo.
Denaj vuri në dukje gjithashtu rritjen e ndjeshme të mbështetjes buxhetore për subvencione në bujqësi.
“Në vitin 2013, vetëm 10% e buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë shkonte për subvencione. Sot kjo shifër ka arritur në 45%, një rritje domethënëse, që pasqyron vëmendjen që i është kushtuar zhvillimit rural”, theksoi ajo.
Ministrja sqaroi se politikat mbështetëse përfshijnë si subvencionet e drejtpërdrejta, që ulin kostot e prodhimit, ashtu edhe ato të investimeve, që mundësojnë zgjerimin e aktivitetit bujqësor.
“Të dyja janë të domosdoshme dhe duhet të ecin paralelisht për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm”, shtoi Denaj.
/r.e//a.f/