E Diel, 1 Nëntor 2026

Blerja e automjeteve përmes KAYO, IKMT: Gjithçka në përputhje me ligjin

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) reagoi sot, duke e cilësuar si të pavërtetë deklarimin e Partisë Demokratike sa i takon procedurave të ndjekura për blerje automjetesh përmes kompanisë KAYO.

Në një reagim publik, IKMT thekson se “pretendimi se dokumentet e procedurës janë hartuar pas lëshimit të faturës nga subjekti “Timak Defence” nuk qëndron. Dokumentet zyrtare provojnë krejtësisht të kundërtën. Fatura Nr. 83/2026 nga subjekti “Timak Defence” mban datën 7 gusht 2026 dhe jo 8 korrik 2026 siç referohet gabimisht në denoncim”.

“E gjithë procedura e ndjekur, që nga inicimi deri në kryerjen e pjesës së parapagesës së pjesshme për blerjen e automjeteve është në përputhje me ligjin, aktet nënligjore dhe kontratën e nënshkruar”, thuhet në reagim.

Në kuadër të transparencës ndaj opinionit publik, IKMT sqaron sa vijon të gjithë procedurën e ndjekur

Në zbatim të VKM-së nr. 638 datë 05.11.2025, IKMT ka dërguar pranë shoqërisë KAYO shkresën me nr. 3419 Prot., datë 03.06.2026 “Informacion mbi blerjen e mjeteve të transportit të institucionit IKMT”.

Me shkresën nr. 399/3 (3419/1 i IKMT-së) Prot., datë 12.06.2026 shoqëria KAYO ka kthyer përgjigje duke dërguar ofertën me specifikimet teknike dhe kohën e lëvrimit të mjeteve.

IKMT me nr. 3419/2 Prot., datë 19.06.2026 ka nxjerrë urdhrin nr. 455 datë 19.06.2026 “Për ngritjen e komisionit për blerjen e mjeteve të transportit nga shoqëria KAYO”, i cili kishte si detyrë të negociojë me shoqërinë për procedurën dhe të përgatisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për blerjen e mjeteve të transportit, urdhër për të cilin është vënë në dijeni shoqëria KAYO me shkresën nr. 3419/3 Prot., datë 29.06.2026.

Komisioni ka vijuar negociatat me “TIMAK DEFENCE” në lidhje me specifikimet teknike për blerjen e mjeteve me shkresën nr. 3419/4 Prot., datë 08.07.2026, dhe me shkresën nr. 3419/5 Prot., datë 22.07.2026, shoqëria TIMAK ka përcjellë për dijeni ofertën përfundimtare të mjeteve të transportit për finalizimin e procesit.

Shoqëria KAYO me shkresën me nr. 470/4 (3419/6 i IKMT-së) Prot., datë 21.07.2026, ka paraqitur ofertën ekonomike, e cila pasi u analizua nga komisioni, u pranua me proces verbalin nr.3419/7 Prot., datë 27.07.2026.

Në vijim të procedurës u lidh kontrata tripalëshe me nr. 3419/8 Prot., datë 06.08.2026.

Institucioni, mbështetur në kontratën nr. 3419/8 Prot., datë 06.08.2026,  nenin 14, pika 14.1, gërma ii, nënpika a – cituar – “20 % e vlerës totale të kontratës, përfshirë TVSH-në, do të paguhet si parapagesë”,  ka realizuar parapagesën me Urdhër Shpenzimi nr. 421, datë 12.08.2026, me vlerë 8 641 296 (tetë millionë e gjashtëqind e dyzet e një mijë e dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë për faturën nr. 83/2026 datë 07.08.2026, për procedurën”Blerje Mjete Transporti”.

Sipas kontratës, pjesa e mbetur të faturës do të likujtohet në momentin kur automjetet do ti dorëzohen Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit.

1 nga 2

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›