E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosh: Duhet marrëveshje sa më e gjerë

Diplomati holandez që drejton prezencën e OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, ka bërë thirrje sërish për një bashkëpunim sa më të gjerë të të gjitha forcave politike për hartimin e reformës zgjedhore. Pas deklaratës së një jave më parë nga Shkodra, ambasadori Bosh ka lëshuar një deklaratë të shkurtër për mediat, e cila vë edhe njëherë në dukje se ndërkombëtarët nuk do të ndërhyjnë fizikisht për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes politikës shqiptare. Në këtë deklaratë theksohet se "Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosh, mirëpriti propozimet për reformën zgjedhore dhe bëri thirrje për dialog dhe bashkëpunim mes gjithë partive të përfshira. Partitë politike shqiptare kanë paraqitur një sërë propozimesh mbi reformën zgjedhore, të cilat synojnë të përmirësojnë sistemin elektoral për të adresuar mangësi të identifikuara edhe në raportet e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut". Në pjesën e dytë të deklaratës vjen edhe apeli më i qartë i ndërkombëtarëve, në të cilën thuhet: "OSBE-ja inkurajon të gjitha partitë të debatojnë mbi propozimet dhe të arrijnë një marrëveshje ndërpartiake sa më të gjerë të mundshme për një sistem zgjedhor që i përshtatet më mirë realitetit shqiptar", tha Bosh. "Prezenca e OSBE-së është e gatshme t‘i sigurojë mbështetje teknike Kuvendit, por janë aktorët politikë shqiptarë ata që duhet të vendosin se si të ecin përpara".

Mënjanimi

Prezenca e OSBE-së në Tiranë prej disa mandatesh është vënë nën shënjestrën e sulmit të partive të vogla parlamentare dhe jo, të cilat akuzojnë zyrën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për pakt të fshehtë me partitë e mëdha, përkatësisht Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Që prej kohës kur misioni i OSBE-së drejtohej nga finlandezi, Osmo Liponen, forcat politike minore nuk e kanë lënë rehat prezencën e kësaj organizate. Sulm që u rrit shumë gjatë drejtimit nga diplomati çek, Pavel Vaçek, por edhe tani nuk po i kursejnë akuzat ndaj kreut aktual të prezencës, diplomatit veteran nga Holanda, Robert Bosh. Gjithçka nisi pas deklaratës nga Shkodra, ku ambasadori Bosh bëri të ditur se ka një konsensus paraprak për sistemin zgjedhor spanjoll. Nuk kaloi as 24 orë dhe partitë e vogla nisën bataretë ndaj kreut të prezencës së OSBE-së. Pikërisht ky qëndrim i politikës shqiptare, por edhe disa zhvillime të tjera, kanë ridimensionuar qëndrimin e OSBE-së por edhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Fill pas zgjedhjeve të 18 shkurtit, ku ODIHR-i i cilësoi si "zhgënjyese dhe një hap prapa në arritjen e standardeve ndërkombëtare", u bë e qartë se nuk do të ketë më ndërmjetësime, por do t‘i lihet në dorë politikës shqiptare që të zgjidhë mes vedes problemet e tyre. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, atëherë përgjegjësia do të jetë vetëm e tyre. Në fakt, politika shqiptare në vitet e shkuara, fajin për dështimin e zgjedhjeve, ka dashur gjithmonë ta transferojë gjetkë, madje duke sulmuar edhe ndërkombëtarët. Gjë që u përsërit edhe herën e fundit. Ndaj prezenca e OSBE-së, edhe pse bëri të ditur se është e gatshme që teknikisht me asistencë të ndihmojë Kuvendin, theksoi se asnjë këshillë apo sugjerim nuk do të vijë nga ambasadat e huaja. Në qarqet ndërkombëtare sulmi i politikës shqiptare nuk është pritur mirë, madje kjo ka zvogëluar edhe kontaktet me zyrtarët e OSBE-së. Në një takim që zhvilluan partitë e vogla shqiptare, dy javë më parë me ekspertë të ODIHR-it (Zyrës për Zgjedhje të Lira dhe të Drejtat e Njeriut të OSBE), u bë e qartë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të jetë pjesë e lojës politike. Gjithçka do të ekzaminohet me kujdes në fund të kësaj "komedie", kur në dy ditë para Samitit të Bukureshtit, Shqipëria do të merret në provim për reformën elektorale dhe atë zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›