E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, arrestohet "specialisti" i vjedhjeve

Policia e Fierit ka prangosur një vjedhës, i cili ditë më parë mori dënimin e formës së prerë nga Gjykata e Rrethit nën akuzën e "vjedhje në bashkëpunim". Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë Fier, mësohet se mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22:00, është bërë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit për arrestimin e Gjolek Duros. 35-vjeçari me banim në fshatin Martallos të rrethit të Tepelenës, është prangosur në banesën e tij. Burime nga policia lokale thanë se Duro e kryente "aktivitetin" në qytetin e Ballshit. Procesi hetimor dhe ai i gjykimit ndaj 35-vjeçarit nga qyteti i Tepelenës ka nisur në nëntorin e vitit të shkuar. Ai ka dalë si autor vjedhjesh pas arrestimit të një bashkëpunëtori nga rrethi i Mallakastrës. Ky i fundit është kapur në flagrancë dhe gjatë pyetjes në polici ka nxjerrë emrin e "kolegut" nga Tepelena. Sipas policisë, Gjolek Duro ishte bërë tmerr i mallakastriotëve. Burimet nga grupi i hetimit tregojnë se 35-vjeçari konsiderohej si "specialist" vjedhjesh dhe ruante një gjakftohtësi gjatë "misionit" të tij, ku shpesh herë kishte mundur t‘i shpëtonte policisë. Po duket se një vjedhje e ndodhur në një pallat në qendër të Ballshit do të mundësonte zbulimin dhe kapjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›