E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Ku isha natën kur u vra Behar Kastrati

Dëshmia e shumëpritur e ish-deputetit të Shijakut, e konsideruar si kyçi për vërtetimin ose rrëzimin e alibisë së vëllezërve Qamil dhe Abedin Rexhaj, është dhënë dje përpara trupit gjykues të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe duket se i ka lënë në baltë dy të pandehurit. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, në deklaratat e tij që kanë zgjatur jo më shumë se 5 minuta, ka hedhur poshtë pretendimet e vëllezërve Rexhaj se natën e 7 korrikut kishte qenë me ta në fshatin Katund i Ri. "Atë natë unë kam qenë në Tiranë dhe nuk e di se ku keni qenë ju", mësohet t‘u ketë thënë të pandehurve ish-deputeti. Sipas burimeve konfidenciale nga gjykata, ai ka deklaruar se dy vëllezërit kishin qenë pjesë e stafit të tij elektoral dhe kishin ndihmuar në mënyra të ndryshme në fushatën e tij.

Fshehja ndaj mediave

Me gjithë interesimin e madh të mediave për të ndjekur direkt dëshminë e ministrit, duke e vlerësuar atë si mjaft të rëndësishme për këtë proces, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Flora Hajredini, me një lëvizje mjaft tinëzare i ka mundësuar Olldashit t‘u fshihet kamerave. Pasi ka mbaruar së pyeturi tre dëshmitarët e parë që ishin paraqitur në seancën e djeshme, trupi gjykues ka akorduar një pushim prej pesë minutash. Interesimit të mediave se përse u dha ky pushim, ndërkohë që asnjë dëshmitar tjetër, përfshi ministrin Olldashi, nuk ishte paraqitur deri në atë moment në gjykatë, askush nuk i dha një përgjigje të saktë. E ndërkohë që ndërprerja e procesit zgjati më shumë se 20 minuta, gazetarët, të bindur se seanca do të shtyhej për shkak të mungesës së dëshmitarëve të tjerë, u larguan. Mesa duket këtë kishte pritur edhe ministri, për të ardhur në mënyrë të befasishme dhe për të dhënë dëshminë e tij, që ndryshe nga sa priste pala mbrojtëse, ishte kundra të pandehurve.

Mohimi

Gjatë deklarimeve të tij, ish-ministri nuk ka ngurruar t‘i hedhë poshtë të gjitha pretendimet e vëllezërve Rexhaj. Ai ka pranuar se ata kishin qenë pjesë e stafit të tij elektoral dhe se Qamili kishte vënë në dispozicion të fushatës lokalin e tij, por nuk ka pranuar se ka qenë me ta mbrëmjen e 7 korrikut. Olldashi tha se atë natë kishte qenë në Tiranë dhe vetëm dy net më pas ka shkuar në Katund të Ri, ku ka organizuar festën e fitores dhe është takuar edhe me dy të pandehurit. Duke iu përgjigjur pyetjeve të të pandehurve, ish-deputeti i Shijakut pranoi se ishte takuar me Rexhajt përpara ditës së zgjedhjeve në Tiranë, por edhe në zonën e tyre të banimit. "Ju më keni ndihmuar me lokalin, ndërsa vëllai juaj, Abedini, ka qenë komisioner i Partisë Republikane, por që ka qenë pjesë e stafit tim, pasi isha kandidat i vetëm i PD-së", i ka thënë ai Qamil Rexhës, ndërsa ky i fundit po përpiqej t‘i kujtonte lidhjet mes tyre, gjithsesi me synimin përfundimtar të vërtetimit se më 7 korrik kishin qenë bashkë në Katund të Ri. Por, dëshmitari i kërkuar me shumë ngulm nga mbrojtja në disa seanca rresht duket se i ka lënë të zhgënjyer jo vetëm avokatët, por edhe të pandehurit, të cilët e konsideronin Olldashin si kyçin e alibisë së tyre, që deri më tani është mbështetur në dëshmitar jo shumë të rëndësishëm.

Optimizmi i mbrojtjes

Avokati mbrojtës i vëllezërve Rexhaj, pavarësisht se nuk u vërtetua alibia e klientëve të tij, u shfaq optimist pas dëshmisë së Olldashit. Skënder Demiri tha pas procesit, se dëshmia e ish-deputetit nuk e ka rrëzuar alibinë e të pandehurve, pasi dëshmitari nuk u shpreh në mënyrë të prerë. "Ai tha se nuk e mbante mend se ku kishte qenë në datë 7 dhe se shumë gjëra nuk i mbante mend, për shkak të kohës që ka kaluar", u shpreh Demiri. Sipas avokatit, mossiguria e dëshmitarit në çështjen e datave, megjithëse nuk është në favor të mbrojtjes, sigurisht që nuk mund të konsiderohet në dëm të alibisë.

Vëllezërit Qamil dhe Abedin Rexhaj akuzohen nga prokuroria se kanë marrë peng dhe më pas kanë ekzekutuar kryetarin e Partisë Demokratike të Hasit, Behar Kastratin. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të 8 korrikut të vitit 2005, pak ditë pas fitores së zgjedhjeve parlamentare nga PD-ja. Trupi i pajetë i mjekut u gjet i zhytur në liqenin e Fierzës, pranë urës së fshatit Klosh.

Debati me Rexhajt

"Më 9 korrik

kam organizuar

festën e fitores"

Q.Rexhaj: A na njihni neve?

S.Olldashi: Po, ju njoh. Jemi takuar disa herë.

Q.Rexhaj: Kemi pirë kafe pak ditë para zgjedhjeve. E mbani mend se ku?

S.Olldashi: Po më duket se kemi qenë te hotel "Sheraton".

Q.Rexhaj: Po në Katund të Ri jemi takuar?

S.Olldashi: Po

Q.Rexhaj: A e kam pasur unë lokalin në dispozicion tuaj para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve?

S.Olldashi: Po dhe keni qenë pjesë e stafit elektoral.

Q.Rexhaj: Komisioner kam qenë unë për PD-në?

S.Olldashi: Ju më keni ndihmuar me lokalin, ndërsa vëllai juaj Abedini ka qenë komisioner i Partisë Republikane, por që ka qenë pjesë e stafit tim, pasi isha kandidat i vetëm i PD-së.

Q.Rexhaj: Ke shtruar festë për fitoren tuaj në Shijak?

S.Olldashi: Po.

Q.Rexhaj: Natën e 7 korrikut ne kemi qenë duke festuar me ju fitoren në Shijak?

S.Olldashi: Unë me 4 korrik jam nisur për në Tiranë për të festuar fitoren në qendër dhe me datë 9 korrik jam kthyer në Shijak, ku kemi festuar dhe jemi takuar aty.

Q.Rexhaj: Po me 7 korrik kemi qenë me ju duke festuar?

S.Olldashi: Qamil..., jo me 7 po me 9 korrik kam organizuar festimin e fitores. Nuk e di ku keni qenë natën e 7 korrikut, po me mua nuk keni qenë.

Avokati: Ditën e 3 korrikut e keni marrë në telefon Qamil Rexhajn që të vinte nga Hasi për të votuar?

S.Olldashi: Jo, nuk e kam thirrir në telefon dhe nuk e di se ku ka qenë. Atë ditë kam qenë shumë i ngarkuar dhe nuk e kam thirrur Qamilin dhe as Abedinin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›