E Diel, 1 Nëntor 2026

"Killeri" Paja, dy burgime të përjetshme

Mbërrijnë në Prokurorinë e Përgjithshme dënimet dhe akuzat ndaj Ilir Pajës, i mbiquajturi "Ufo", i cili plagosi një inspektor policie gjatë operacionit për arrestimin e tij. Mësohet se ndaj 34-vjeçarit rëndojnë dy dënime me burgim të përjetshëm, respektivisht në Gjermani dhe Itali, ku dyshohet se ka kryer krime të rënda. Burime nga akuza qendrore thanë se Ilir Paja akuzohet që në qytetin Duisburg, Gjermani, ka vrarë një person, ndërsa në Itali ka kryer krime si: përdhunim, tentativë vrasje, deri te trafik prostitucioni dhe droge. Tashmë, të gjitha akuzat e drejtësisë perëndimore do të verifikohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka hapur një tjetër procedim penal ndaj killerit nga Berati. Burimet pohojnë se plagosja e inspektorit të policisë, Blendi Haxhimihali, është cilësuar nga hetuesit e çështjes si vrasje e mbetur në tentativë për shkak të cilësive të veçanta.

Hetimet

Plagosja e agjentit të policisë ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Tiranës dhe të Krimeve të Rënda, të cilat kanë ngritur grupe hetimore për këtë ngjarje, ndërsa janë marrë edhe provat nga vendngjarja. Hetues të çështjes kanë marrë në pyetje të plagosurin Ilir Paja, i cili ka deklaruar se nuk ka dashur të lëndojë asnjë agjent, por të largohet gjatë momentit të arrestimit. Ndërkohë, Paja pritet të japë shpjegime edhe për hetuesit e Krimeve të Rënda, pasi në këtë prokurori është person nën hetim për trafik prostitucioni. Në lidhje me ngjarjen, prokuroria deklaron se ka marrë dëshmi nga kolegë të Haxhimihalit, të cilët kanë qëlluar ndaj Pajës, ndërsa kanë parë të gjithë ngjarjen.

Mësohet se agjenti i policisë kriminale të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, i cili u plagos mesditën e së enjtes gjatë një operacioni, vazhdon të luftojë me jetën. Ndërkohë që është marrë në ruajtje edhe familja e agjentit të plagosur, pasi mendohet se Ilir Paja nga Berati ka një rrjet kriminal që është ende në aktivitet. Gjithashtu, hetuesit e çështjes kanë mësuar se Paja, edhe ai në gjendje jo të mirë shëndetësore, ka kërcënuar indirekt edhe agjentët e policisë që morën pjesë në aksion. Policia e Tiranës, duke u nisur nga të dhënat operative, ka marrë masa për mbrojtjen e tyre.

Policia

Ilir Paja është person në kërkim ndërkombëtar, sepse ndaj tij është dhënë dënimi për një vrasje të kryer në Gjermani. Paja është arrestuar dhe pas disa muajsh dënim ka mundur të arratiset nga burgu, duke përdorur çarçafët si litar. Është ndaluar disa muaj më vonë në Itali dhe ndaj tij është shtuar edhe akuza për shfrytëzim prostitucioni. Por ai ka mundur të ikë sërish nga burgu, ndërsa policia ishte duke e transportuar me ambulancë, për shkak se i dënuari ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe kishte tentuar disa herë vetëvrasjen. Kësaj herë kishte bërë si i sëmurë psikik dhe kur e kishin transportuar me ambulancë kishte filluar të rënkonte e të tërhiqte vëmendjen e policit kryesor. Kur ky është afruar, Paja i ka dhënë një grusht në fytyrë. Më pas ka hapur derën e autoambulancës dhe është larguar me vrap, ku ka kapërcyer një mur të lartë dhe ka ndjekur linjën e trenit. Edhe pse policët kanë qëlluar në ajër, nuk ka ndaluar. Më pas është futur në një pyll dhe është zhdukur. Pas arratisjes së dytë në Itali, Ilir Paja është kthyer në Tiranë, ku jetonte i fshehur dhe është arrestuar sërish.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›