Bozdo: Rrugët e papërfunduara në Kuçovë pengojnë jetën dhe shërbimet për banorët

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo ngriti në seancën plenare të së hënës shqetësimin për gjendjen e infrastrukturës rrugore në bashkinë e Kuçovës, duke theksuar se kjo situatë penalizon banorët në përdorimin e shërbimeve bazë.
Bozdo vuri në dukje segmentin rrugor Goraj–Velagoshtë, i cili siç tha ai, ka mbetur i papërfunduar që prej vitit 2012 dhe nuk ka pësuar përmirësime, pavarësisht premtimeve të qeverisë.
Ai theksoi se gjendja aktuale e rrugës bën të pamundur kalimin e automjeteve të larta dhe ndikon drejtpërdrejt në aksesin e qytetarëve ndaj shërbimeve arsimore dhe shëndetësore.
“Banorët kërkojnë shërbime minimale në nivel lokal, duke përfshirë rrugët që lidhin qendrën e bashkisë me njësitë administrative. Disa segmente, si rruga Goraj–Velagoshtë, janë në gjendje të mjerueshme dhe pamundësojnë jetën normale në zonë”, deklaroi Bozdo, duke shtuar se banorët kanë protestuar shpesh herë, por pa marrë përgjigje të efektshme nga autoritetet lokale.
Ai kërkoi ndërhyrje nga institucionet për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe për të siguruar qasje të sigurt dhe funksionale për qytetarët e Kuçovës.
/e.xh/r.e/