Brenda vitit 2026, çdo biznes duhet të ofrojë pagesa elektronike

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Qeveria shqiptare është e angazhuar për të reduktuar përdorimin e parasë fizike (cash) në ekonomi, duke nxitur zgjerimin e pagesave elektronike në të gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në konferencën e fundvitit për mediet, se “duke nisur nga qershori i vitit të ardhshëm, çdo biznes që operon në sektorin e turizmit dhe atë të transportit do të ketë detyrimin të garantojë forma alternative të pagesave për qytetarët”.
Sipas Kryeministrit, kjo nismë synon që bizneset të mos ofrojnë vetëm pagesa në cash, por edhe mjete të tjera moderne, si kartat bankare dhe format e pagesave elektronike.
“Brenda vitit të ardhshëm, çdo biznes në Shqipëri do të ofrojë forma alternative të pagesave, në mënyrë që kushdo, vendas apo i huaj, turist apo vizitor, të ketë mundësi të paguajë me kartë apo përmes mjeteve elektronike”, u shpreh Rama.
Kjo masë vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të ekonomisë, rritjes së transparencës financiare dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe turistët që vizitojnë Shqipërinë.
/e.xh/j.p/r.e/