Rama: SIGMA na rendit lider në rajon për funksionimin e administratës publike

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria konsiderohet vend lider në rajon për funksionimin e administratës publike, sipas raportit të fundit të shkruar të SIGMA-s.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët, në Kryeministri, Rama tha se “janë miratuar disa politika të reja qoftë për sa i përket Paketës Fiskale me marrëveshjen e Paqes Fiskale dhe me projektligjin e faljes së detyrimeve të prapambetura tatimore doganore, qoftë të skemës së kompensimit të TVSH-së me 10% për fermerët bazuar në praktikat më të mira të BE-së”.
“Është po ashtu gati skema e garancisë shtetërore për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe për bujqësinë, e cila ka filluar të japë efektet e para. Ndërkohë që dua ta theksoj edhe sipas vlerësimit të SIGMA-s që është institucioni që bën këto vlerësime për llogari të BE-së krahasuar me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria konsiderohet me shkrim, jo me gojë, vend lider në funksionimin e administratës publike në rajon dhe në disa fusha specifike siç është menaxhimi i financave publike, shërbimet publike dhe menaxhimi i burimeve njerëzore”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë, e konsideroi këtë si një “kundërtendencë me atë se çfarë zien në 700 “tenxheret” mediatike dhe politike”.
Ai vuri në dukje se SIGMA është një organizëm që nuk ka lidhje me Qeverinë e Shqipërisë apo Partinë Socialiste.
Rama tha se është krijuar tashmë edhe shoqëria “Alb Trace & Co”, e cila vjen si një risi në jetën e vendit falë një bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara duke siguruar që Shqipëria e cila për një kohë shumë të gjatë ka qenë e varur nga koncesione të vjetra, të prodhojë pullat fiskale këtu në vend, të markojë karburantet këtu në vend dhe të ofrojë një sërë produktesh të tjera nga shteti me një teknologji bashkëkohore që do të rrisin sigurinë edhe transparencën.
/e.i/j.p/r.e/