E Hënë, 2 Nëntor 2026

Britania e Madhe ofron mbi 3 mijë paund për largimin vullnetar të emigrantëve shqiptarë

Rreth 700 familjeve shqiptare, të cilave u ka përfunduar çdo afat qëndrimi dhe çdo mundësi apelimi për të mbetur në Mbretërinë e Bashkuar, mund t’u ofrohen më shumë se 3,000 paund për t’u larguar vullnetarisht nga vendi.

Kjo masë po shqyrtohet nga qeveria britanike, mes zhgënjimit për mungesën e deportimeve dhe rritjes së kostove të emigracionit.

Muajin e kaluar, Sekretarja e Brendshme Shabana Mahmood kritikoi mungesën e urgjencës nga departamenti i saj për deportimin e tyre, duke paralajmëruar ndryshime rrënjësore në sistemin e imigracionit.

Ministri i sigurisë kufitare, Alex Norris, tha për LBC, (Radion britanike e lajmeve), se pagesa e migrantëve për t’u larguar është një “investim i mirë për taksapaguesin”.

“Për momentin, ne mund t’u paguajmë njerëzve rreth 3,000 paund dhe nuk kërkoj falje për këtë. Kjo do të thotë që ne mund t’i heqim ata më shpejt dhe taksapaguesi kursen para sepse ata nuk do të vendosen në hotele me çmime të shtrenjta për natë qendrimi.” u shpreh ai.

Norris shtoi se po shqyrtohet rritja e shumës së ofruar, veçanërisht për familjet shqiptare.

“Kemi 700 familje shqiptare që janë azilkërkues të dështuar në sistem. Nëse një nxitje e vogël i largon ata, atëherë kjo është sigurisht gjëja e duhur për t’u bërë dhe kjo është arsyeja pse po e shqyrtojmë,” tha ai.

Zyrtarët paralajmëruan se mungesa e përparimit në largimin e familjeve ka krijuar një situatë ku “përfitimi personal i vendosjes së një fëmije në një varkë të vogël të rrezikshme është më i madh se rreziqet e konsiderueshme të këtij veprimi”.

Sipas të njëjtit burim, ministria e Brendshme ka hapur këtë javë një qendër të re për largimin e emigrantëve pranë Oksfordit.

Campsfield House shton 160 shtretër në kapacitetin aktual prej 2,400 shtretërish në vendet e paraburgimit dhe pritet të zgjerohet më tej me 240 vende të tjera.

Qendra do të përdoret për ndalimin e mbërritjeve me varka të vogla, kriminelëve të huaj që duhet të deportohen dhe shkelësve të ligjit për emigracionin që gjenden duke punuar ilegalisht në Britani.

Duke parë objektin përpara se të zhvendoseshin migrantët e parë, Norris tha: “Publiku pret rend dhe kontroll në sistemin tonë të migracionit dhe një pjesë thelbësore e kësaj është rritja e numrit të njerëzve që largohen. Për ta bërë këtë, duhet të kesh një paraburgim shumë të mirë. Pra, ky është objekti që po hapim këtu për atë fazë të fundit përpara se njerëzit të largohen nga vendi.”

Ai shtoi se qeveria ka bërë “hapa të rëndësishëm” në menaxhimin e emigracionit, por synon të shkojë më tej. “Ne do të bëjmë ndryshime në ligj, siç u zotuam disa javë më parë, për t’u siguruar që, qoftë interpretimi i brendshëm apo traktatet ndërkombëtare, ato të mos e pengojnë këtë,” përfundoi Norris.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›