E Hënë, 2 Nëntor 2026

Viktimat e dhunës, mbështetje për më shumë financime, për një jetë të sigurt ndaj grave dhe fëmijëve

Dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet problem serioz në Shqipëri dhe si e tillë kërkon mbështetje më të madhe për një jetë të sigurt për viktimat e dhunës. Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim thotë se financimi është vetëm në dorën e donatorëve dhe jo pjesë e plotë e sistemit publik të financimit.

“Kosto reale e sigurisë është shumë më e lartë se ajo që aktualisht planifikohet. Jemi këtu për të folur për rimëkëmbjen emocionale, pavarësinë ekonomike, rrugën e gjatë drejt një jete të re”, tha Mirela Arqimandriti nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim.

Për Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri Silvio Gonzato mbështetja në disa drejtime janë thelbësore për t’u mundësuar të mbijetuarve një jetë të re të pavarur.

’’Ligji i sapomiratuar dhe i keqkuptuar për barazinë gjinore e zhvendos barazinë gjinore nga një parim abstrakt në diçka që mund të  operacionalizohet dhe të zbatohet në një gamë të gjerë sektorësh dhe aktorësh në Shqipëri. Dhe është ë rëndësishme që të vazhdojmë të shpjegojmë thelbin e këtij ligji për barazinë ligjore. Në të ardhmen e afërt ligji për dhunën në familje do të miratohet dhe është thelbësore që ky ligj të harmonizohet me direktivën e BE për luftën e dhunës ndaj grave , dhe dhunën në familje si dhe me konventën e Stambollit, të cilën Shqipëria natyrisht e ka nënshkruar dhe ratifikuar. Dhe e gjitha kjo, më duhet ta theksoj, kërkon përgatitje të mirë, informim dhe konsultim dhe kjo është një thirrje që unë ia bëj edhe Kuvendit. Sepse ne duhet të mësojmë nga përvojat e së shkuarës, dhe të mos lejojmë aspak hapësirë për dezinformim’’, tha Gonzato

Sfidat kryesore mbeten ato të buxheteve dhe të politikave në sigurimin e një financimi publik të qëndrueshëm për strehëzat.

“Do të financohen në total 85 programe, nga 131 që janë gjithsej dhe për herë të parë do të financohet ndërhyrja kirurgjikale e rikonstruksionit të gjirit, nga e cila përfitojnë 350 granë vit”, tha Kryetarja e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Milva Ekonomi.

“Aktualisht në të gjithë vendin ofrohen 37 shërbime sociale të specializuara për viktimat e trafikimit, dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore, të shpërndara në 12 qarqe të vendit, për të mbuluar 61 bashkitë”, u shpreh zv.ministrja e Shwndetësisë, Eugena Tomini.

Nxitja e një dialogu të hapur mes aktorëve kryesorë thekson rëndësinë e strehëzimit jo vetëm si shërbim, por edhe si rrugë drejt sigurisë dhe fuqizimit.

Gazetare: E. Hasanbelli

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›