Brodec, "Top Channel" publikon pamjet tronditëse
Pamje rrëqethëse të dhunës së policisë maqedonase në fshatin Brodec, ku në muajin nëntor të vitit të kaluar, u zhvillua një aksion ndaj disa shqiptarëve. "Top Channel", në bashkëpunim me gazetën "Lajm" të Maqedonisë, solli pamje tronditëse të njërit prej të arrestuarve, Hebib Ahmetit, në momentin që ai u mor në pyetje nga inspektorët e policisë. Videoja është incizuar me një telefon celular për 2 minuta e 47 sekonda. Inspektorët, përveçse e kanë rrahur të arrestuarin, e fyejnë dhe e detyrojnë të pranojë gjithçka. Më 7 nëntor të vitit 2007, policia maqedonase ndërmori aksionin në Brodec, ku u vranë gjashtë persona dhe u arrestuan 13 të tjerë. Disa subjekte politike, por edhe organizata për të drejtat e njeriut, ngritën zërin në lidhje me këtë operacion, për shkak të përdorimit të forcës së tepruar dhe të terrorizimit të banorëve. Operacioni "Stuhia malore" u ndërmor për të kapur të shumëkërkuarit Lirim Jakupi dhe Ramadan Shiti, të cilët strehoheshin në Brodec. Materiali i transmetuar e komprometon më shumë policinë maqedonase në raport me banorët shqiptarë të këtij vendi.