Ndalohet hapja e ekspozitës kosovare
E paralajmëruar si rast i mirë, që artistët dhe punonjësit e kulturës të bisedojnë për artin, kulturën dhe shoqërinë e Kosovës, për analizimin e disa fakteve që njeriu mesatar i Serbisë deri tani nuk ka guxuar ose nuk ka dëshiruar t‘i dijë, si dhe për të hedhur më shumë dritë në relacionet artistike e kulturore midis Serbisë dhe Kosovës, ekspozita e piktorëve të rinj kosovarë nuk e përjetoi as çeljen, thotë gazetari i BBC-së, Seladin Xhezairi. Në fakt, rreth një orë para hapjes, pjesëtarë të një organizate ekstremiste me emrin Obraz, hynë me forcë në mjediset e galerisë, duke copëtuar pllakatin e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari. Me gjithë ndërhyrjen e policisë, kjo nuk e pengoi një grup të pjesëtarëve të kësaj organizate që të prishte ceremoninë e hapjes. Një prej pjesëtarëve të organizatës, me një gur në dorë, qortoi organizatorët, duke i cilësuar veprat e piktorëve të rinj nga Kosova si artistikisht të pavlefshme dhe si turp për Beogradin e Serbinë.