E Diel, 1 Nëntor 2026

"Hallet" dhe "gëzimet" e policisë tonë

I kanë vendosur mbi supe një barrë të rëndë. Nuk është më shumë se 39 vjeç, por i duhet të merret përditë e më shumë me të gjitha hallet dhe problemet e policisë, që për hir të së vërtetës duhet thënë se janë të pafundme. Pse? Është shumë e thjeshtë. Sepse, si pakkush të tjerë, policia është në përballje të drejtpërdrejtë me qytetarin nga një anë dhe ligjin nga ana tjetër. Numri një i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, qëndron në tavolinën e tij të punës mbi një grumbull të madh shkresash, që duhet t‘i lexojë shpejt, t‘i studiojë po kaq shpejt, t‘i kuptojë dhe t‘u japë rrugën e zgjidhjes po kaq shpejt. Nga ana tjetër është gjithnjë në kontakt me drejtuesit e policisë së Kukësit, për të marrë detajet më të fundit për vetëvrasjen e një polici, brenda mjediseve të komisariatit ku shërbente prej afro 20 vitesh.

Deri dje, Prençit nuk i kishin kërkuar një intervistë, të themi ndryshe, jashtë shifrave (që gjithsesi e ka të vështirë t‘u shmanget tërësisht), ndaj ngurroi fillimisht, por më në fund pranoi. Shumë nga pyetjet që i drejtuam ishin të gazetarëve të "Shqip", të cilët ai i falënderon, ashtu si gjithë median shqiptare, jo vetëm për vëmendjen dhe transparencën e treguar ndaj punës së policisë, por edhe për kritikat që ia ka adresuar shpesh asaj. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pranon të flasë për ngjarjen e Laçit, vrasjen e Dibrës, SHKB-në, për patrullat e policisë me djem e vajza të reja, për rrahjet e qytetarëve nga efektivat e tij, por edhe për mundësinë e dërgimit në shtëpi të atyre qindra policëve që qëndrojnë kryqëzimeve të Tiranës, pasi mbarojnë turnin e dytë apo të tretë. Edhe pse nuk ka shumë kohë, ajo shpjegon me detaje gjithçka që ka lidhje me policinë. Koha e lirë, sikurse thotë i mungon jo pak. Sepse detyra që mban kërkon angazhim. Dita e punës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nis herët, me takimin që bën me 5 zv.drejtorët e Përgjithshëm, me të cilët diskuton për detyrat dhe dinamikën e ditës, problemet e dala dhe që kërkojnë zgjidhje, pastaj takimi me stafin dhe këshilltarët, më tej takime të ndryshme pune, shpesh me drejtuesit e misioneve të huaja policore në vend. Një pjesë të madhe kohe kërkojnë dhe takimet me grupet e punës që lidhen me aktet nënligjore, analiza e çështjeve të ndryshme etj. E ndërpret ditën e punës diku nga ora 16.30, për t‘iu rikthyer asaj pas dy orësh dhe për ta mbyllur në orët e vona. Të nesërmen e pret thuajse e njëjta "agjendë. Pavarësisht nga këto, Prençi pranon të flasë pra për "hallet" dhe "gëzimet" e 9700 efektivave, që ai drejton prej afro një viti.

Ta fillojmë me ngjarjen e Laçit. Është më e freskëta. Një nënë pretendon se është shoqëruar në polici për 10 orë dhe, kur është kthyer në shtëpi, foshnja e saj nuk ka mundur të pijë më qumësht gjiri nga qarja e tepërt. Fëmija i vdiq dhe ajo tani akuzon policinë...

Ta sqarojmë fillimisht. Nëna nuk është shoqëruar nga policia. Bashkëshorti i saj po, pasi një tjetër person e dyshonte atë si hajdut. Dy burrat janë shoqëruar dhe janë pyetur në polici për pak më shumë se një orë. Bashkëshortja e njërit prej tyre, pikërisht ajo që denoncon, nuk ka qenë e thirrur nga policia. Ajo ka qëndruar pranë komisariatit, e padetyruar nga askush. Foshnja ka vdekur tri ditë pas shoqërimit të babait të saj në polici. Strukturat kompetente janë duke hetuar këtë rast dhe të presim çdo të thonë ato.

Të kthehemi pak në kohë. Vrasja e një të mituri në Dibër, pak javë më parë, tronditi atë që konsiderohej si një oaz qetësie. Mendoni se krimi mund të ishte parandaluar, ashtu sikurse edhe SHKB-ja, që ka filluar një hetim ndaj policisë lokale?

Dibra, dhe shumë rrethe të tjera si Dibra, janë konsideruar dhe konsiderohen oaze qetësie, jo për sa u përket ngjarjeve tronditëse që sapo përmendët, por për gjendjen e stabilizuar të rendit e sigurisë publike në vijimësi. Kjo është meritë e komunitetit, por gjithsesi meritë e padiskutueshme e strukturave të Policisë së Shtetit, që falë punës profesionale dhe bashkëpunimit me komunitetin kanë siguruar oaze qetësie. Sa për vrasjen që tronditi opinionin publik, policia dhe organet përkatëse kanë ndërmarrë masa konkrete drejt një hetimi kompleks dhe analize profesionale në tërë elementët e këtij krimi të shëmtuar. Dua të shtoj se ngjarja në Dibër u pasua dhe nga ngjarje të tjera po aq tronditëse, siç ishte rasti i fundit në Berat, që do të thotë se organet e tjera jashtë Policisë së Shtetit janë larg bashkëpunimit me strukturat tona përkatëse. Mbi të rëndon përgjegjësia kryesore nga opinioni i gjerë publik. Dhe kjo qartazi kuptohet: policia penalizohet apriori me pasojën e krimit, por jo me shkakun pse ndodhi krimi. Ka një hetim për këtë çështje nga Prokuroria e Dibrës, një hetim me të gjithë elementët e kësaj ngjarjeje. Nuk ka pasur asnjë element të veprës penale, që të përfshijë punonjësit e policisë, kështu që SHKB nuk ka ndërmarrë veprime hetimore.

Dakord. Por nëse themi që Policia e Dibrës pak ose aspak funksionon, sistemi i mbledhjes së informacionit është në ditën e tij më të keqe që pas vitit 1997... A kam të drejtë në këtë konstatim?

Nuk është konstatim i drejtë. Thatë në fillim që t‘u largohemi disi shifrave, por jam i detyruar të citoj që nga policia e Qarkut në Dibër treguesit për vitin 2007 janë më se të kënaqshëm. Zbulueshmëria e krimeve ndaj personit është 97 për qind. Kjo punë nuk mund të realizohet pa funksionimin e një sistemi marrjeje, përpunimi dhe vlerësimi të informacionit kriminal. Do të mësoni në vazhdimësi finalizimin e çështjeve mjaft të ndjeshme të ndodhura vite më parë në këtë qark e qarqe të tjera, dhe kjo bëhet falë funksionimit të mekanizmit të informacionit policor të ngritur në të gjithë vendin.

Shtoj që ai merret drejtpërdrejt, minutë pas minute, hap pas hapi, falë dhe teknologjisë së re të instaluar në ambientet e informacionit pranë Drejtorisë së Përgjithshme.

Ende në oborret e shkollave, edhe tani 11 vjet pas trazirave të vitit 1997, ka prindër që presin fëmijët e tyre për t‘i marrë. Nuk kanë besim te policia, e cila thotë gjithmonë që i ka shtuar masat në mjediset shkollore, apo është diçka që u ka mbetur nga vitet e shkuara?

Është e vërtetë që ka prindër të cilët presin në oborrin e shkollave për të shoqëruar fëmijët e tyre. Kjo sidomos për ciklin e ulët të arsimit 9-vjeçar. Prindi është prind dhe në përkujdesjen e tij ndikojnë shumë faktorë, ndikon trafiku i rënduar dhe me mjaft probleme në Tiranë, mungesa e mjeteve të komunikacionit pranë shkollave, siç dhe ndikon meraku njerëzor i prindërve. E them me bindje se meraku i fundit ka dhe do të ketë dozë më të pakët. Shërbimi policor në shkolla, sidomos në shkollat 9-vjeçare e të mesme, ka ndikuar dukshëm në rritjen e sigurisë në ambientet shkollore dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor-edukativ.

Pse të gjithë kanë frikë nga SHKB-ja (Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm) dhe nuk kanë frikë, fjala bie, nga zv/drejtorët e Përgjithshëm të Policisë apo drejtues të tjerë të saj?

Frikë nga SHKB-ja?! Sigurisht që polici i korruptuar, zyrtari i korruptuar, drejtuesi i korruptuar, do të ketë frikë nga SHKB-ja, pra nga ligji. Korrupsioni, sa është i frikshëm për sistemin, po aq frikë ka po nga sistemi.

Për ta luftuar atë, në radhët e Policisë së Shtetit, pranë Ministrisë së Brendshme, ushtron veprimtarinë SHKB-ja, por do të shtoja se lufta kundër korrupsionit është detyrë parësore e tërë strukturave të policisë dhe rezultatet në këtë drejtim janë të prekshme e inkurajuese.

Për sa i përket frikës tjetër për zv/drejtorët e Përgjithshëm, më duket e pavend të zgjatem. Mjafton të kujtojmë se hierarkia organizative e Policisë së Shtetit sanksionon hierarkinë e urdhrit apo përgjegjësisë dhe do të thosha se kjo është strukturore, ligjore, individuale, spirale, apo e thënë ndryshe, piramidale.

Patrullat e reja kanë krijuar shpesh probleme me qytetarët, më së shumti për një komunikim aspak dinjitoz të tipit: "Mos e ngri zërin", ndërkohë që je duke komunikuar normalisht; ose "të çoj në polici", kur nuk ka asnjë shkak; apo "mos më kundërshto", kur ti ende nuk ke folur as edhe një fjalë. A do të ishte më mirë që në këto patrulla të përfshihej edhe një polic me më shumë përvojë në terren, në mënyrë që të shmangen skena të tilla?

Është me vend pyetja juaj, në kohë e në hapësirë. E konsideroj të paçmuar kontributin që media jep te të gjithë ne me denoncimin e këtyre rasteve, duke na ndihmuar së pari e mbi të gjitha ne drejtuesit e policisë. Nga ana tjetër, mendoj se e njëjta media kthehet në kundërproduktive kur përgjithëson me dy ose tri shembuj sporadikë punën e 9700 efektivave të Policisë së Shtetit.

Kur erdha në krye të policisë shqiptare, një ndër preokupimet e mia, pos të tjerave, ka qenë dhe mbetet etika qytetare e profesionale e komunikimit të punonjësit të policisë me komunitetin. E kundërta sjell artifice me pasoja të rënda në punën dhe autoritetin e policisë. Ndaj tyre kam qenë dhe mbetem aspak tolerant, siç ishte dhe rasti i fundit në aksin rrugor Fushë Krujë-Tiranë, që media solli në vëmendjen tonë. Atavizmat e një policie të gjithëpushtetshme, bajraktare e mendjemadhe, dita-ditës po i lëshojnë vendin një policie ligjore, qytetare dhe për qytetarët. Këtë qytetarët e kanë kuptuar, pasi pa ndihmën e tyre do e kishim të pamundur të kishim këto rezultate që kemi arritur.

Ngritja dhe kualifikimi i patrullës së përgjithshme, që parasheh dhe përcakton ligji i ri, do të sjellë domosdoshmërish përmirësime të ndjeshme. E shoh të udhës të theksoj vëmendjen që i kushtohet ngritjes kulturore, arsimore dhe qytetare të policit të shërbimit, i cili drejtpërdrejt ndeshet me shkeljen dhe zbatimin e ligjit nga komuniteti. Kemi bërë publike dhe kërkojmë reagimin e qytetarëve, mediave, për çdo rast të sjelljes joligjore dhe joetike. Reagimi ynë, të jeni të sigurt që do të jetë i drejtpërdrejtë, i prerë dhe i shpejtë. Si drejtues i Policisë së Shtetit do të mbështes këdo që është i angazhuar në zbatimin e ligjit, por do të ndëshkoj këdo që e shkel atë.

Drejtor, a vazhdojnë të rrihen njerëz në komisariate? Keni informacione se ende po ndodhin rrahje dhe keqtrajtime brenda mjediseve policore?

Mendoj se ngjarje të tilla i takojnë së kaluarës.

Përse jeni kaq i sigurt?

Jam i sigurt, sepse veprimet e policisë monitorohen në çdo moment nga struktura të tjera, nga OJQ të shumta, nga media...

Ligji i Policisë së Shtetit, de jure, ka hyrë në fuqi, por në praktikë nuk po arrin të zbatohet. Cilat janë problemet që e pengojnë atë të zbatohet përfundimisht dhe ç‘probleme po sjell kjo vonesë?

Ligji i ri për Policinë e Shtetit ka hyrë në fuqi në korrik 2007. Për përpilimin, hartimin dhe miratimin e këtij ligji është dashur një kohë e gjatë, është punuar nga specialistët më në zë në fushën e legjislacionit, me asistencën dhe nën kujdesin e misionit PAMECA, ICITAP dhe OSBE-së. Sigurisht që zbatimi i ligjit të ri në praktikë nuk është i lehtë dhe rezultatet konkrete nuk priten në një ditë, sado me diell që të vijë mëngjesi. E kam fjalën për zbatimin e plotë të ligjit dhe akteve të tjera nënligjore, në kushte e rrethana konkrete.

Në Policinë e Shtetit po realizohet me sukses një revolucion konceptual. Tulatja apo skepticizmi që mund të konstatoni janë të natyrshme. Kemi bindjen e plotë se reformat strukturore, organizative, kualitative që parasheh ligji, kanë dhënë dhe do të japin rezultate inkurajuese në shërbim të rendit dhe sigurisë publike.

Me ligjin e ri duhet të ndryshonin edhe gradat e policisë, kur do të ndodhë kjo? A ka ndonjë plan pagash policia pas ndryshimit të gradave, meqë edhe buxhetin tani e ka të pavarur?

Ligji përcakton ndryshime thelbësore në piramidën e gradave nga niveli bazë, deri në nivelet më të larta. Është e kuptueshme që zbatimi i tyre kërkon kohë, ose siç e quani ju, vonesa. Këto vonesa janë të karakterit të volumit dhe të cilësisë së zbatimit më shumë se sa të natyrës burokratike të dhënies së gradave. Ka filluar me kohë evidentimi i punës e meritës së çdo punonjësi të policisë, bazuar në arsimin, eksperiencën, trajnimet, kontributet, vjetërsinë etj. Mbi bazën e gjithë këtyre do të zbatohet piramida e gradave dhe bashkë me të edhe paga që do të realizohet para afateve që parashikon ligji.

Nga informacione të ndryshme jemi vënë në dijeni se do të ketë përsëri reformë në polici...

Jemi në reformim e sipër, ashtu si dhe në përsosje e sipër, qoftë në strukturën organizative, qoftë në rritjen e efektivitetit dhe profesionalizmit në goditjen e krimit. Policia e Shtetit ka misionin e shenjtë të ruajtjes së rendit kushtetues, të qetësisë dhe sigurisë publike. Në veprimtarinë konkrete, ligji mund të ketë nevojë edhe për ndërhyrje të tjera kirurgjikale, por tashmë ndërhyrjet do të jenë të karakterit estetik e jo transplantiv.

Kishim para pak javësh një intervistë me shefin e misionit PAMECA, i cili pyetjes tonë për largimin nga puna të policëve të trajnuar iu përgjigj me premtimin që i kishte bërë ministri Nishani. Z.Nishani ka pretenduar se nuk ka pasur dijeni dhe i ka premtuar rikthimin në punë të tyre. Realisht, çdo të ndodhë me këta ish-policë?

E kam lexuar intervistën në fjalë dhe më duhet të them që e citoni gabim zotin Schmidt. Gjithsesi, sipas ligjit të ri, Ministria e Brendshme siguron efektivitetin dhe eficencën e policisë, duke përcaktuar objektivat strategjikë, objektivat e kryerjes së detyrave, të nxjerrë urdhra e udhëzime dhe për zbatimin e tyre raportohet nga drejtori i Përgjithshëm, kur dhe si ta lypë nevoja. Ju siguroj se në emërimet e reja përparësi kanë pasur dhe do kenë policët e trajnuar nga PAMECA e ICITAP apo Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, aq më tepër për të larguarit për shkak të shkurtimeve nga radhët e policisë.

Të kthehemi te shifrat: Janë shkurtuar nga radhët e policisë 800 punonjës, ndër ta 375 oficerë. Deri tani, nga ky kontingjent janë rikthyer rreth 300 policë dhe oficerë. Me krijimin e vendeve të lira, për arsye të ndryshme, do të plotësohen përsëri nga ky kontingjent dhe kjo është një dinamikë e vazhdueshme. Kam kënaqësinë të informoj përmes jush opinionin publik që të gjithë studentët që kanë mbaruar Akademinë e Policisë gjatë vitit 2006-2007 aktualisht janë emëruar në struktura të ndryshme të policisë në qendër e në bazë.

Meqë jemi te misionet e huaja policore, rrallëherë ICITAP ka reaguar ndaj problemeve në polici, ndryshe nga PAMECA. Mendoni dhe ju si shumë specialistë se ka një lloj "lufte të ftohtë" mes këtyre dy misioneve, njëri përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tjetri Bashkimin Evropian, për të ndikuar sa më shumë te forcat e policisë shqiptare?

Mendoj se misionet e huaja që asistojnë pranë Policisë së Shtetit, si ICITAP apo PAMECA, kanë dhënë dhe japin një ndihmë të gjithanshme, të domosdoshme e cilësore. Për sa u përket ndërhyrjeve në problemet e policisë, ato nuk kanë qenë të natyrës për të bërë tutorin njëra apo njerkën tjetra. Mund t‘ju them me kënaqësi që të gjithë bashkë operojmë në harmoni të plotë. Ndërhyrjet kanë qenë konstruktive në formë e në përmbajtje, në kuadrin e partneritetit drejt përsosjes së luftës pa kompromis e sa më profesionale kundër krimit. Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit, qoftë me ICITAP apo PAMECA, ka qenë dhe mbetet i hapur, siç është i tillë dhe bashkëpunimi me policitë simotra të vendeve të rajonit e më gjerë. Vetëm nga bashkëpunimi me Interpolin janë ekstraduar nga vende të ndryshme, të dënuar nga drejtësia shqiptare për krime të rënda, qoftë ndaj personit, qoftë ndaj pronës.

Si janë marrëdhëniet e policisë me këto dy misione?

E përsëris pa ekuivok: Të shkëlqyera.

U bë disa kohë që jeni në krye të policisë shqiptare. Sipas jush, cili është problemi më i madh që ka policia jonë aktualisht? Si mund të ndreqet ai?

Policia e Shtetit ka probleme komplekse që lidhen me çastin dhe perspektivat, por problem kryesor mbetet forcimi i lidhjeve të policisë me komunitetin, forcimi i besimit te komuniteti. Me zbatimin e strukturës së re, rezultatet në këtë drejtim kanë qenë optimiste dhe kjo shihet te rritja e numrit të kallëzimeve apo rritja e numrit të telefonatave në sallat operative, në komisariatet, apo drejtoritë e qarqeve. Ato janë dhjetëfishuar. Informacionet e ardhura shërbejnë si pikë referimi për zbulimin e veprave penale dhe shndërrimin e tyre në prova të pakontestueshme në përdorimin e metodave speciale të hetimit.

P.sh., të marrim dhunën në familje. Është problem shqetësues që nuk lidhet vetëm me punën e policisë. Në të gjitha rastet e kallëzuara, policia ka ndërhyrë në veprimet e para, por meqenëse ky fenomen ndodh rëndom, synojmë të rritet më tej puna e seksioneve të policimit në komunitet. Rritja e përgjegjësisë dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera do të çojnë në minimizimin e kësaj dukurie shqetësuese. Le të shtojmë se dhe ashpërsimi i dënimit që parashihet nga Kodi Penal do të ndikonte në uljen e krimit në familje. Nuk po zgjatem me të tjera probleme, si lufta kundër korrupsionit, trafiqeve të paligjshme etj.

A i kontrollon policia zonat periferike, jo vetëm të Tiranës, por edhe të të gjithë vendit? Nëse do flisnim me përqindje, sa është kjo përqindje mbulimi? Keni mjete për ta konsideruar të plotësuar këtë detyrë?

Ju keni vënë re dhe keni pasqyruar vetë në media se së fundmi lufta kundër krimit nuk është bërë vetëm në Tiranë. Gjeografia e kësaj lufte është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Zbulueshmëria e krimeve, sidomos ndaj personit, si vrasje, grabitje etj., është ndër treguesit më të lartë, 97%, që duhet përshëndetur. Ju përsëri keni konstatuar që Policia e Shtetit dhe strukturat e saj, me të marrë informacionin vërshojnë në vendngjarje dhe jo vetëm në Tiranë e zonat periferike të saj. Janë arrestuar për krimin ndaj pronës kryetarë komunash, drejtorë, zv/ministra, sekretarë të Përgjithshëm, drejtorë e funksionarë të lartë të administratës. Mjetet dhe logjistika e përdorur në këtë drejtim është në ndryshim dhe përmirësim të vazhdueshëm.

Për shembull, sa e pranishme është policia në Lazarat? Keni premtuar para pak kohësh se së shpejti do të ndërhyni në këtë zonë. Po bashkëpunoni për këtë me policinë lokale dhe pushtetin lokal, si kreun e komunës? Cili është reagimi i tyre?

Policia e Shtetit ndërhyn në çdo cep të territorit të Shqipërisë. Konkretisht, Komuna e Lazaratit është e qetë, nuk ka asnjë ngjarje që të ndërhyjë policia. Këtu, dhe në zona të tjera, me efektivitet ka qenë dhe mbetet bashkëpunimi i strukturave tona me pushtetin lokal, që do të jetë dhe në të ardhme prioritet në punën tonë. Neutralizimi i veprimtarisë së kundërligjshme, reagimi gjithnjë e më sensibël i komunitetit, ka qenë dhe mbetet i lavdërueshëm.

Sa e aftë është policia jonë për të ndërhyrë në parcelat e kësaj zone, por edhe të zonave të tjera në vend, ku mbillet kanabis apo hashash? Keni frikë nga reagime të dhunshme prej banorëve?

Policia e Shtetit, në zbatim të ligjit dhe ruajtjes së rendit kushtetues, harton strategji, siç mund të përmendim strategjinë 7-vjeçare të saj dhe atë 1-vjeçare. Mbjellja dhe kultivimi i bimëve narkotike, në zbatim të prioriteteve qeveritare dhe të Ministrisë së Brendshme, për ta nxjerrë vendin tonë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike. Konfirmohet dhe nga ju puna jonë jo vetëm në shkatërrimin e parcelave të mbjella, por dhe në kapjen e sekuestrimin e bimëve narkotike pa kaluar territorin shqiptar. Rastet e fundit në Kakavijë, Sarandë, Vlorë, Fier etj. Nuk po zgjatem, pasi janë të shumta. Në këtë drejtim, toleranca është zero për çdo individ, funksionar të pushtetit lokal, punonjës policie dhe lokalitet.

Thuhet se në përplasjen e fundit që patët në Lazarat, kur u sulmua edhe Komisariati i Gjirokastrës, ka pasur një urdhër nga lart (nënkuptohet nga Ministria e Brendshme dhe Kryeministria) për të mos reaguar dhunshëm ndaj turmës? Sa e vërtetë është kjo? Dhe sa varësi keni nga urdhra të tillë politikë?

Krejtësisht e pavërtetë. Është parim bazë në punën e Policisë së Shtetit shmangia sa të jetë e mundur e ndërhyrjeve me dhunë ndaj turmës, ose përdorja e saj në proporcion me sulmin. Kjo gjë është përsëritur prerazi qoftë nga Kryeministri, qoftë nga ministri i Brendshëm. Lazarati, Vlora, apo në ngjarje të tjera, ndërhyrjet e forcave policore kanë qenë të prirura në shmangien medoemos të dhunës së panevojshme. Të kuptohemi, për mbrojtjen e institucioneve të shtetit, të rendit kushtetues, si dje, sot dhe nesër, policia dhe strukturat e saj nuk mund të jenë tolerante. Mbrojtja dhe zbatimi i ligjit janë aksioma e punës tonë. Ligji urdhëron policinë në çdo veprim të sajin. Dhe për rastin konkret, unë kam komunikuar me drejtuesit e strukturave lokale e qendrore, gjithmonë mbi bazën e ligjit.

Sa do t‘i kushtonte buxhetit të policisë të dërgonte në shtëpi me një autobus a furgon, ndoshta dhe të marrë me qira, policët e shumtë, që pasi mbarojnë turnin e dytë a të tretë mbushin kryqëzimet e Tiranës në pritje të ndonjë makine?

Është mjaft i drejtë problemi që shtroni. Janë bërë dhe po bëhen përpjekje për t‘i dhënë zgjidhje transportimit në banesat e tyre të policëve të shërbimit, sidomos të turnit të dytë. Por mendoni që brenda një kohe të shkurtër duhen mjete të shumta për transportin e tyre. Gjithsesi, kjo mbetet në vëmendjen tonë në të ardhme dhe besoj që do gjendet një zgjidhje e përshtatshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›