Thaçi: E kemi përcaktuar datën e pavarësisë
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi dje se datën e shpalljes së pavarësisë tashmë e dinë të gjithë dhe se ky uikend që po kalojmë "është një uikend i rëndësishëm para shpalljes së pavarësisë". "E kemi të përcaktuar datën. Unë e kam theksuar gjithmonë, e ritheksoj edhe sot, tashmë këtë datë e dinë të gjithë. Me rëndësi ka qenë që të sigurojmë njohjen dhe kjo është arritur, pasi institucionet e Kosovës kanë konfirmimin për njohje nga rreth 100 shtete. Prandaj, tani mund të ecim më shpejt dhe mund të them lirisht se ky uikend që po kalojmë është një uikend i rëndësishëm para shpalljes së pavarësisë", u shpreh ai.
Shtypi i Prishtinës shkruante dje se janë shtuar burimet që konfirmojnë shpalljen e pavarësisë fundjavën që vjen dhe sipas kësaj, pavarësia shpallet më 17 shkurt dhe hyn në fuqi në mars. "17 dhe 18 shkurti, dy datat më të preferuara për shpalljen e pavarësisë", "Publikimi i datës dy-tri ditë para shpalljes, deklarimi i pavarësisë para Samitit të BE-së - Të dielën e tretë të shkurtit", "Pavarësia po, por problem veriu", janë disa nga kryetitujt e shtypit të djeshëm. Sipas Televizionit Publik të Kosovës, i cili në raportin nga Brukseli u referohej "burimeve brenda BE-së dhe disa burimeve nga shtete anëtare", data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është 17 shkurti, por deklarata e pavarësisë do të hyjë në fuqi në mars.
Sipas deklaratës së djeshme të Thaçit, institucionet në Kosovë mund ta bëjnë publike zyrtarisht datën e pavarësisë, mbase javën e ardhshme. "Kosova është në prag të rideklarimit të pavarësisë", tha dje Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ndërsa kryeparlamentari Krasniqi vërejti se "është me rëndësi që pavarësia do të ndodhë në muajin shkurt".
Dje, Thaçi pati një takim me përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, të cilët i njoftoi për "hollësitë rreth ditës së shpalljes së pavarësisë, organizimin në nivelin e institucioneve qendrore e lokale dhe për festimin dinjitoz nga qytetarët e Kosovës". "Kemi besim të plotë se gjërat po shkojnë ashtu siç është planifikuar nga institucionet e vendit dhe miqtë ndërkombëtarë. Tani Kosova po i afrohet ditës së shpalljes së pavarësisë, po krijojmë të gjitha hapësirat e duhura dhe po marrim përgjegjësitë që të kemi ditë të qeta, festim dinjitoz, tolerancë ndëretnike, rend demokratik dhe kjo festë të japë mesazhin nga populli i Kosovës për gjithë botën demokratike, se meritojmë fillimin e njohjes masive nga bota demokratike", theksoi Thaçi.